ELBASAN - Një aksident i rëndë ka ndodhur në aksin Elbasan-Metalurgjik por fatmirësisht pa viktima. Nga përplasja e dy makinave kanë mbetur të plagosur 5 persona, dy prej të cilëve janë në gjendje të rëndë. Makina tip Golf me drejtues shtetasin Jani Shuteriqi me targë EL 3145 C, është përplasur me mjetin tip Opel, EL 4337 C, me drejtues, Altin Hasa.

Aktualisht në spitalin kirurgjik të Elbasanit ndodhen më rëndë Goart Sina 25 vjeç, pasagjer në makinën Opel dhe Bledar Licaj, pasagjer në makinën Golf.

Ka pasur një moment kritik në ndërhyrjen e forcave të policisë dhe mjekëve pasi për shkak të përplasjes së fortë ishte thuajse e pamundur të nxirrej nga automjeti shtetasi Goart Sina. Vetëm forcat zjarrfikëse kanë bërë të mundur nxjerrjen e 25-vjeçarit nga makina.

Shkak i aksidentit mendohet të ketë qenë mosrespektimi i rregullave të qarkullimit rrugor dhe shpejtësia tej normave të lejuara nga dy drejtuesit e mjetit.

Sonte në mbrëmje u shënua një tjetër aksident në autostradën Tiranë-Durrës, ku një motor ka përplasur një kalimtar duke e lenë të plagosur.

Redaksia Online
(jd/Gre.M/Shqiptarja.com)