BERAT - Një aksident ka ndodhur mbrëmjen e sotme në aksin nacional Dimal -Berat, në hyrje të fshatit Moravë. Një automjet, tip Mercedes Benz, që po udhëtonte drejt qytetit të Beratit, ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në kanal.
Goditja ka qenë shumë e fortë, saqë mjeti është shkatërruar tërësisht në pjesën e përparme, ndërkohë që drejtuesi i mjetit ka marrë vetëm disa fraktura, sipas mjekëve jashtë rrezikut për jetën.
Drejtuesi i mjetit, Marjus Mata, 27-vjeç,ka pësuar thyerje në krahun e majtë dhe shembje në shumë pjesë të trupit dhe është transportuar me ambulancë drejt Spitalit Rajonal Berat, ku ndodhet nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.
Atij i është bërë edhe alkool-testi dhe ka rezultuar pa prezencë alkooli. Në vendngjarje kanë shkuar efektivë të shumtë të policisë rrugore, që po kryejnë edhe kqyrjen e vendit të ngjarjes, për të konkluduar në shkaqet dhe dinamikën e aksidentit të ndodhur në këtë aks rrugor, ku mungon ndriçimi në rrugë.