FUSHË-KRUJË- Festa e fejesës së dy të rinjve është kthyer në tragjedi, pas një aksidenti që ndodhi në aksin Fushë-Krujë-Milot, pak pas mesnatë, ku dy makina janë përplasur mes tyre, duke lënë të vdekur 5 persona. Viktima kanë mbetur çifti i të rinjve Shkumbin Brati, 20 vjeç dhe Almeina Karaj, 16 vjeçe, jeta e të cilëve është prerë në mes, vetëm një ditë pasi i kishin premtuar njëri-tjetrit dashuri të përjetshme, sepse në datën 4 mars kishin festuar fejesën. Nga përplasja e fortë e dy makinave, ka humbur jetën edhe drejtuesi i makinës ku ishin dy të rinjtë Artan Alushi, 30 vjeç si dhe shoferi i makinës tjetër Alfred Dika, 39-vjeç. Edhe 34-vjeçarja, Rudina Haka, e cila u dërgua në spital  në gjendje të rëndë, ndërroi jetë për shkak të plagëve të marra. Ajo ndodhej në makinën e Artan Alushit dhe ishte ulur në vendin e parë te makina tip ‘Golf’, ku mbetën të vdekur tre personat e tjerë. 

Shkumbin Brati ishte këngëtar i muzikës popullore, ndërsa Artan Alushi, ishte instrumentist. Artan Alushi, Rudina Haka, Shkumbin Brati dhe Almeina Kraja kishin qenë deri në orët e vona të së shtunës në një lokal me muzikë në Shënkoll të Lezhës, pasi ishin anëtarë të një grupi muzikor dhe kishin qenë duke punuar. Aksidenti ka ndodhur në afërsi të fshatit Borizanë në Fushë-Krujë, ndërsa shkak dyshohet shpejtësia e madhe, lagështira në rrugë si dhe parakalimi i gabuar. Është kërkuar ndërhyrja e zjarrfikëses për të nxjerrë trupa e pajetë të viktimave.

Dinamika e aksidentit
39-vjeçari Alfred Dika udhëtonte i vetëm me Mercedes Benz nga Fushë-Kruja në drejtim të Milotit. Ai është përplasur me mjetin "Golf 4" që drejtohej nga 30-vjeçari Artan Alushi. Përmes burimeve nga Policia Rrugore, Report TV mëson se dy automjetet lëvizin me shpejtësi mbi 100 km/orë, ndërsa dyshohet se Benz-i qe drejtohej nga Alfred Dika ka kryer parakalim të gabuar. Duke parë vendin ku ka ndodhur përplasja, paraprakisht dyshohet se Benz-i i ka dalë përballë Golf-it, thanë burimet.

Aksi Fushë-Krujë-Laç është një aks problematik, ku shpesh herë janë regjistruar aksidente tragjike, që u kanë marrë jetën shumë personave. Kjo për shkak të infrastrukturës rrugore, si dhe mos respektimit të rregullave të qarkullimit në këtë aks nga drejtuesit e mjeteve.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 17:45
Rëndohet bilanci i aksidentit në Fushë-Krujë, ndërron jetë në spital edhe 34-vjeçarja

Rëndohet bilanci i aksidentit tragjik qw ndodhi pak pas mesnate në aksin Milot-Fushë Krujë. Ndërron jetë në spitalin e Traumës dhe 34-vjeçarja Rudina Haka, duke e çuar ne 5 numrin e viktimave. Ajo nuk mundi t’ju mbijetoje plagëve te marra ne disa pjese te trupit.

1646585171_page.jpg

Rudina Haka
Ora 11:43
E dhimbshme, dedikimi i 16-vjeçares për të fejuarin 2 ditë më parë: Edhe në botën tjetër do të të dua njësoj

'Edhe në botën tjetër do të të dua njësoj si sot', ky ishte dedikimi i ndjerë i 16-vjeçares Almeina Karaj ndaj të fejuarit të saj Shkumbin Brati 20 vjeç. Dy ditë më parë Almeina dhe Shumbini i premtuan njëri-tjetrit dashuri të përjetshme teksa lidhën fejesë, duke u ndjerë njerëzit më me të lumtur në botë, por pa ditur se çfarë i priste. Fatkeqësisht jeta dhe lumturia e tyre u ndërpre në mes në mesnatën e 5 marsit, ku aksidenti tragjik i mori jetën.

Ora 11:36
Aksidenti tragjik në Fushë Krujë, ja kush është viktima tjetër dhe 34-vjeçarja që mbeti e plagosur

1646562952_rudinahaka.jpg

Personat që shihni në foton më lartë janë Artan Alushi i cili humbi jetën në aksidentin tragjik sot në rrugën Fushë Krujë-Milot dhe Rudina Haka, e vetmja e mbijetuar. Kjo e fundit është dërguar në spital, ku ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.

Ora 10:58
Aksidenti tragjik në Fushë-Krujë, 34-vjeçarja dërgohet rëndë në spital

1646560952_1646560913Screenshot2.jpg

Foto nga vendi i ngjarjes

Rudina Haka, 34-vjeçe është dërguar rëndë në spital. Ajo ka marrë plagë të shumta në trup për pasojë është dërguar me urgjencë në spital për të marrë ndihmën e duhur mjekësore. 

Ora 09:43
Rruga 'e vdekjes' Fushë Krujë-Laç! Rastësia e frikshme, aksidenti tragjik me 4 viktima sot në të njëjtin vend ku në mars të 2021 humbën jetën 4 të rinj të tjerë

Rruga Fushë Krjë Laç është një aks jo pak problematik, ku janë regjistruar shumë aksidente tragjike që i kanë marrë jetën shumë personave. Aksidenti i fundit u regjistrua pak pas mesnatës së 5 marsit, ku humbën jetën 4 persona, të cilët kishin dalë për të festuar fejesën e dy të rinjve, Shkumbin Bratit, 20 vjeç dhe Alemenia Karajt 16 vjeçe.

Viktima mbetën edhe dy persona të tjerë që po udhëtonin me ta,  Alfred Dika, 39-vjeç dhe Artan Alushi 30, vjeç. Aksidenti u regjistrua në të njëjtin vendin ku 2 vite më parë humbën jetën 4 të rinj. Nazmi Rrahmani 35 vjeç, Flamur Visha 35 vjeç, Arben Koni 33 vjeç dhe Juljan Mehilaj  45 vjeç humbën jetën tragjikisht më 18 mars të 2021, pasi automjeti me të cilin udhëtonin u përplas me një kamion.

Ora 09:18
Kishin dalë të festonin fejesën pasi i kishin premtuar dashuri të përjetshme njëri-tjetrit, kush janë dy të rinjtë që humbën jetën tragjikisht në aksidentinnë Fushë-Krujë

1646555237_1646554397SHKUMBINALMEINAKARAJ.jpg

Almeina Karaj dhe Shkumbin Brati në ditën e fejesës së tyre, datë 4 mars

Jeta e Almeina Karajt, 16-vjeçe, dhe Shkumbin Bratit, 20 vjeç, u pre në mes nga një aksident tragjik mëngjesin e sotëm në aksin Fushë-Krujë Milot. Dy të rinjtë kishin marrë vendimin për të kaluar jetën së bashku duke i premtuar dashuri të përjetshme njëri -tjetrit, pasi një ditë më parë ishin fejuar. 'Sa me fat jam që jetën do e ndaj me ty'- shkruante Almeina Karaj në rrjetet sociale. Nga përplasja e fortë e dy makinave, ka humbur jetën edhe drejtuesi i makinës ku ishin dy të rinjtë Artan Alushi, 30 vjeç si dhe shoferi i makinës tjetër Alfred Dika, 39-vjeç, dhe e plagosur rëndë një 34 vjeçare.

1646558891_brati.jpeg

1646558912_WhatsAppImage20220306at10.05.19.jpeg

Ora 08:57
EMRAT/ Kush janë viktimat e aksidentit të rëndë në Fushë-Krujë

Si pasojë e aksidentit në aksin Fushë-Krujë-Milot, kanë humbur jetën shtetasi Alfred Dika, 39 vjeç, dhe Artan Alushi, 30 vjeç, ndërsa për shkak të përplasjes së rëndë kanë ndërruar jetë edhe dy pasagjerët shtetasit Shkumbin Brati., 20 vjeç, dhe Almenia Karaj,16 vjeçe, që ndodheshin në automjetin që drejtonte shtetasi Alfred Alushi.  Aksidenti ka ndodhur në afërsi të fshatit Gramëz në Fushë-Krujë, ndërsa shkak dyshohet shpejtësia e madhe dhe lagështira në rrugë.