Pesë persona janë plagosur nga një aksident mbrëmjen e sotme në aksin rrugor Milot - Lezhë në urën mbi lumin Mat. Përplasja e dy makinave Ford Focus dhe Golf ndodhi rreth orës 21:15, ndërsa Report Tv sjell pamjet nga vendi ku shënua aksidenti.

Të plagosur mbetën A.I. 26 vjeç, A.I. 67 vjeç dhe A.T. 24 vjeç banues në Shkodër, të cilët udhëtonin në mjetin tip Ford Focus dhe ndodhen në spitalin rajonal Lezhë, si dhe K.F. 34 vjeç e A.F. 33 vjeçe, banues në Tiranë, të cilët udhëtonin në mjetin tip Golf dhe janë dërguar në spitalin e Traumës në Tiranë, për ndihmë më të specializuar mjekësore.

Të plagosurit që ndodhen në spitalin e Lezhës, por edhe në Tiranë, sipas policisë ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Policia ka mbërritur në vendin e ngjarjes duke nisur hetimet. Nga të dhënat e para shkak i aksidentit ka qenë parakalimi i gabuar i mjetit tip Golf, ndërkohë që edhe rruga ka qenë me lagështirë si pasojë e reshjeve të shiut pasditen e sotme në këtë zonë.

Aksidenti ka sjellë bllokimin e rrugës duke krijuar trafik për rreth një orë. Këtë vit që po lëmë pas në Shqipëri janë shënuar një numër i lartë viktimash dhe të plagosurish nga aksidentet.