GJIROKASTER – Një 30-vjeçare ka humbur jetën mbrëmjen e sotme si pasojë e një aksidenti rrugor që ndodhi në aksin Tepelenë-Gjirokastër kur automjeti i drejtuar prej saj, tip Volkswagen, u përplas me një tjetër.

Ngjarja ndodhi rreth orës 19:30, bëri të ditur policia e Gjirokastrës, pranë vendit të quajtur Uji i Ftohtë. Aksidenti ka ndodhur në një kthesë kur automjeti tip Peugeot, me targa greke KNT 1562, i drejtuar nga shtetasja Anastasia Stavralidhu, 60 vjeç, u përplas me atë të drejtuar nga viktima, Dorina Neni, me targa AA 293 AL.

Dy dyja drejtueset e mjeteve u dërguan në spital por 30-vjeçarja Dorina Neni ka ndërruar jetë rreth orës 20:45 si pasojë e plagëve të rënda. Ndërsa 60-vjeçarja që drejtonte automjetin tjetër është jashtë rrezikut për jetën.

Një grup hetimor ka shkuar në vendngjarje për të zbardhur shkaqet e këtij aksidenti.

(im/shqiptarja.com)