Një incident i frikshëm ndodhi sot në një zonë turistike alpine në veri të Italisë, pranë kufirit me Zvicrën, ku një teleferik u bllokua pas një defekti teknik, duke lënë rreth 100 persona të izoluar në majë në një lartësi rreth 2,800 metra mbi nivelin e detit.
Sipas autoriteteve italiane, një kabinë e teleferikut nuk arriti të frenonte siç duhet gjatë hyrjes në stacionin malor dhe u përplas me barrierën ndaluese. Si pasojë, tre persona u plagosën lehtë, ndërsa pjesa tjetër e pasagjerëve, mes tyre edhe fëmijë, u evakuuan me helikopterë shpëtimi.
Operacioni i evakuimit u krye nga zjarrfikësit dhe policia financiare, ndërkohë që për arsye sigurie u mbyllën pistat e skive dhe u pezullua aktiviteti i impiantit.
Operatori i teleferikut konfirmoi për mediat se shkak i incidentit ishte një defekt teknik, pasi sistemi i frenimit nuk funksionoi siç parashikohej, duke aktivizuar kështu mekanizmat e emergjencës. Autoritetet kanë nisur kontrolle të plota për të përcaktuar shkaqet e sakta, ndërsa teleferiku do të mbetet i mbyllur deri në përfundimin e inspektimeve.
Teleferiku u ndërtua në vitin 1962 dhe në vitin 2023 iu nënshtrua një restaurimi masiv që kushtoi 2 milionë euro. Ai përdoret kryesisht nga turistët që frekuentojnë zonën gjatë sezonit të skive. Incidenti ka rikthyer shqetësimet për sigurinë e impianteve alpine në prag të kulmit të sezonit turistik dimëror ku zakonisht regjistrohen incidente të frikshme.
Komente








