TIRANË- Report Tv siguron imazhet ekskluzive të aksidentit tragjik të një dite më parë, që shënoi vdekjen e një fëmije 7-vjeçar, afër kthesës së Kamzës. I vogli ishte duke lypur, dhe fatkeqësisht, pa e parë që i kishte dalë para makinës, atë e shtyp shoferi i cili pak sekonda para i kishte dhënë lekë. Një shofere e dytë e shtyp sërish teksa ishte i shtrirë në tokë, dhe largohet nga vendi i ngjarjes. Të dy drejtuesit, sot janë në pranga.

***

Në një automjet të ndaluar në semafor të kuq, një i mitur, afrohet dhe shtrin dorën për lëmoshë. Drejtuesi i jep disa të vogla, e sapo semafori bëhet jeshil, i jep gaz makinës. Për fat të keq, shoferi nuk arriti të shoh, se para makinës së tij, i vogli, siç tregojnë këto imazhe që Report Tv siguron nga kamerat e sigurisë, ishte përkulur në tokë pasi i ranë disa lekë nga duart. 

1. Tomorr Shukulli i jep para të miturit.

2. Të miturit i bien paratë në tokë kur po kalonte rrugën.

Nëse për të miturin 7-vjeçar do të kishte shpresa nga goditja e parë, fatale për të, ishte shtypja nga një tjetër automjet. Ndërkohë që i mituri është në tokë, i aksidentuar mbi vizat e bardha, kjo makinë e dytë, kalon mbi trupin e të miturit 

Pas tragjedisë, shoferi i parë Tomorr Shukulli ndalon makinën. E dyta, e cila rezultoi të jetë Valentina Koltraku, 42-vjeçare largohet pa ndaluar.

3. Makina e parë dhe e dytë i kalon sipër.

Por të dy u shpallën në kërkim. Edhe shoferi 55-vjeçar që qëndroi aty, e mori të voglin dhe e dërgoi në Spitalin e Traumës, por prej aty, u largua, pa treguar se ishte ai personi që e kishte aksidentuar. Të dy u arrestuan, vetëm pasi policia i identikoi nga kamerat.

Si ky i mitur, në Tiranë, jeta e të çilit u ndërpre në mes, ka me dhjetëra që kërkojnë lëmosh nëpër semaforë, duke rrezikuar seriozisht jetën e tyre. Pak ditë më parë, një operacion i Komisariatit nr. 2 arrestoi 4 burra dhe 4 gra në të cilët sillnin të mitur nga Elbasani dhe i shfrytëzonin për të lypur në disa zona në Tiranë.

4. Makina e parë që ndaloi pas përplasjes. Makina e dytë ikën nga vendngjarja.