Ngjarja e rëndë e ditës së djeshme në Durrës, ku një automjet përplasi për vdekje 2 të mitur dhe la të plagosur rëndë një tjetër, ka rikthyer në vëmendje masat që duhen marrë për rritjen e sigurisë në rrugë.
Eksperti dhe kryetari i Shoqatës në Ndihmë të të Aksidentuarve, Gëzim Hoxha, është shprehur se duhet ndërtuar një program i gjerë, ku të përfshihen disa institucione dhe shoqëria civile, me qëllim rritjen e sigurisë rrugore.
Komentet Hoxha i bëri teksa ishte i ftuar në emisionin ‘Studio Live’ me gazetarin Ermal Qori në Report Tv, ku tha se nuk është vetëm detyra e Policisë për të kontribuar në uljen e numrit të aksidenteve rrugore.
“Më pëlqeu vendimi i drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, për pezullimin e atyre zotërinjve deri në sqarimin e çështjeve. Qytetarët ankoheshin atje se kishin njoftuar Policinë se ky qytetar ishte problematik dhe Policia thoshin ata se nuk kishte vepruar. Nëse nuk kanë vepruar, kemi të bëjmë drejtpërdrejtë me shpërdorim detyre. Kjo kërkon një program shumë të madh, duhet të angazhohet patjetër edhe shoqëria civile. Nuk duhet të presim vetëm nga Policia. OPGJ-të deri më tani kanë bërë menaxherin. Këtu vjen era korrupsion”, tha Hoxha.
Nga ana tjetër, avokati Endri Çela teksa komentoi mbi aksidentin e ditës së djeshme në Durrës, tha se shoferi Nikoll Radaçi, që përplasi të miturit, rrezikon deri në 20 vite burg.
Çela tha se pamjet e tregojnë qartë që Radaçi ka qenë duke qarkulluar me shpejtësi të lartë në momentin e aksidentit dhe se ka qenë i dehur teksa drejtonte automjetin, ç’ka sipas avokatit e rëndon pozitën e tij.
Më tej Çela ngriti pyetjen nëse vendimi për heqjen e postblloqeve policore nga rrugët nacionale ka ndikuar në rritjen e numrit të aksidenteve gjatë ditëve të fundit.
“Në rastin konkret jemi para një vepre penale që parashikohet nga neni 290 paragrafi 4 i kodit penal, shkelja e rregullave të qarkullimit me të paktën 2 plagosje të rënda apo vdekje. Kjo vepër penale parashikon një dënim nga 5 deri në 20 vite burg. Në raport me kufirin minimal apo maksimal, do të verifikohen kushtet në të cilat ka ndodhur vepra penale apo pasojat e veprës penale. Në rastin konkret, pasoja është shumë e rëndë. Kemi vdekjen e 2 fëmijëve dhe një plagosje të rëndë të një fëmije tjetër. Pra dënimi duhet të shkoë te kufiri maksimal, te 20 vite burg. Në të njëjtën kohë rezulton se personi që ka bërë këtë aksident ka qenë një shkelës në vazhdueshmëri i rregullave të qarkullimit rrugor. Po ashtu ai është larguar nga vendi i aksidentit, që dënohet deri në 1 vit burg. Si dhe ka qenë nën ndikimin e alkoolit, vepër penale që parashikon një dënim deri në 3 vite burg. Nga pamjet që kemi parë, duket qartësisht që ka qenë me shpejtësi të lartë. Mos kushedi kemi një rritje të menjëhershme të aksidenteve rrugore, pasi u hoqën postoblloqet e Policisë në akset kombëtare?”, tha Çela.
Ndërkohë më tej Hoxha tha se Oficerët e Policisë Gjyqësore në përgjithësi janë të korruptuar dhe punojnë për ndërrimin e fajësisë së drejtuesit të mjetit që shkakton aksidentin, duke i ndihmuar ata që t’ja ‘hedhin pa u lagur’.
“Ai ka qenë duke lëvizur me shpejtësi, aty duhet të ketë pak hark rruga. Forca centrifugale e ka thitur atë, ka hipur në trotuar. Trotuari është 21 centimetra i lartë, por fuoristrada hipën kollaj aty. Ka hipur lartë, i ka goditur fëmijët dhe i ka marrë poshtë. Ai ka qenë në gjendje të dehur dhe kuptohet që një i dehur nuk di se ku shkon dhe se çfarë bën. Ne e kemi fenomen të shtuar pijen alkoolike. OPGJ-të harrojnë t’i çojnë drejtuesit e automobilave në spital, për të bërë analizën e gjakut për të parë përqindjen e alkoolit dhe analizën e urinës për të parë nëse kanë përdorur ose jo lëndë narkotike. Ata kanë shkuar me atë konceptin ‘hajde të bëjmë ndonjë lekë’. Dhe ndërrimi i fajësisë është një tmerr i vërtetë, sepse ja vret pjesëtarin e familjes për herë të dytë personit. Kjo është shumë skandaloze. Prandaj këtu duhet të rrafi çekiçi”, tha Hoxha.
Komente










