Qytetet në Shqipëri po ndërtohen për interesa fitimi dhe jo për familjet. Kjo është akuza e Erisa Xhixhos së Partisë së Lirisë, e cila, e tronditur nga tragjedia e Durrësit ku humbën jetën 2 të mitur, ngre shqetësimin për mungesën e sigurisë për fëmijët në vendin tonë.
Në një deklaratë për shtyp, Xhixho thotë se fëmijët sot nuk janë të sigurt as në shkollë dhe as në lagje, sepse hapësirat publike për ta janë zhdukur ose janë në kushte të papërshtatshme.
Ajo thekson se sheshet, parqet dhe këndet e lojërave po zëvendësohen nga parkingje dhe kantiere ndërtimi, ndërsa çdo hapësirë shihet si mundësi përfitimi.
Deklarata e plotë e Erisa Xhixhos
“Nuk gjej fjalë për të ngushëlluar prindërit e dy fëmijëve që humbën jetën dje tragjikisht në Durrës. Para së gjithash si nënë, jam pranë tyre në këtë moment të vështirë që ka tronditur të gjithë shoqërinë shqiptare. U bashkohem lutjeve të prindërve për jetën e fëmijës së tretë që mbeti i plagosur.
Për fat të keq, fëmijët nuk janë të sigurt sot në Shqipëri. Nuk janë të sigurt në shkollë, nuk janë të sigurt në lagje. Ne kemi ndërtuar qytete që u shërbejnë ndërtuesve dhe jo familjeve me fëmijë. Mungesa e hapësirave publike për ta është problem jo vetëm në Tiranë, por edhe në periferitë e qyteteve.
Qendrat tona të banimit nuk kanë sheshe, nuk kanë parqe, nuk kanë kënde lojërash. Qytetet tona janë armiqësore me fëmijët. Hapësirat publike tkurren çdo ditë, oborret para pallateve kthehen në parkingje e sheshet në kantiere ndërtimi.
Sepse para se të mendohet për një mjedis që u shërben banorëve, çdo pëllëmbë toke shihet si një mundësi përfitimi. Zhvillimi urban është servirur si progres, por nuk është përshtatur për ata që kanë vërtet nevojë. Durrësi, që ka rreth 100 mijë banorë, i numëron me gishtat e dorës parqet ku fëmijët mund të luajnë. Për të mos folur për kushtet.
Një shtet që nuk garanton dot të drejtën e jetës, është një shtet i dështuar! Zoti u dhëntë forcë prindërve dhe familjeve, për ta përballuar këtë dhimbje të madhe”
Komente









