TIRANË - Federata Shqiptare e Rafting (FShR) shpreh keqardhjen për aksidentin e turistitëve çek gjatë lundrimit në lumin Kir dhe distancohet totalisht nga kjo mënyrë organizimi e aktiviteteve sportivo-turistike të palicensuara nga Federata.

Për të shmangur përsëritjen e ngjarjeve të tilla të rënda e për të diskutuar vetëm mbi pjesën e bukur të sporteve ujore dhe aktiviteteve turistike në natyrë FShR komunikon se guidat sportive-turistike duhet të ofrohen nga subjekte të ligjshme dhe të licensuara nga Federata Shqiptare e Rafting për organizimin e këtyre itinerareve sportivo-turistike.

Rafting në Shqipëri është një aktivitet që duhet të organizohet nga kompanitë/personat juridike  të njohura nga Federata Shqiptare e Rafting,  të drejtohet nga guida profesionale të liçensuara nga kjo federatë, të pajisura me lejen përkatëse të drejtimit, si dhe të jenë të kompletuara me pajisjet dhe veshjet e destinuara për  këtë përdorim.

Zbritja e turistëve çekë në lumin Kir është bërë pa shoqërimin e guidave profesionale dhe te licensuara nga shteti shqiptar. Nga verifikimet  e saj FShR ka konstatuar dhe denoncuar disa raste ku persona të ndryshëm  fizikë/ juridikë shqiptarë  marrin përsipër organizimin dhe drejtimin e udhëtimeve të rafting në lumenj të ndryshëm të Shqipërisë pa qënë të licensuar, pa pasur guidat profesionale dhe pa pajisjet e kompletuara, duke vënë kështu në rrezik jetën e turistit dhe imazhin e sktivitetit të rafting dhe turizmit shqiptar.

FShR kërkon bashkëpunimin e institucioneve përgjegjëse shtetërore në ruajtjen e sigurisë së ushtrimit të rafting duke përfshihë strukturat përkatëse për kontrollin dhe verifikimin e ligjshmërisë së subjekteve që ushtrojnë këtë aktivitet sportivo-turistik në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë.