TIRANË, 27 Dhjetor/ATSH/.- Turistët shqiptarë të cilët u lënduan nga përmbysja e autobusit në Tivar (Mal i Zi), janë nisur pasditen e sotme drejt Shqipërisë, ndërkohë që tre prej të lënduarve po transportohen me autoambulanca, për shkak të gjendjes së tyre më të rënduar.
Ata do të vijojnë mjekimin në spitalin e Traumës në kryeqytet, ndërsa një grua e cila nuk është në kushte për të udhëtuar, do të ndjekë mjekimin në spitalin e Podgoricës.
Këshilltari për mediat në Ministrinë e Punëve të Jashtme, Glevi Dervishi konfirmon se të gjithë turistët janë jashtë rrezikut për jetën, por ekipi mjekësor ka gjykuar që tre prej tyre të udhëtojnë me autoambulancë dhe të marrim mjekim të specializuar në Tiranë, në spitalin e Traumës".
"Është vetëm një grua që do të qëndrojë në Spitalin e Podgoricës, pasi nuk mund të lëvizte me makinë. Është në gjendje stabël, nuk paraqet komplikacione, por nuk është në gjendje për të lëvizur me makinë", tha ai.
Po ashtu, drejt atdheut është nisur dhe trupi i pajetë i Orena Kaçit, e vetmja shqiptare e cila humbi jetën në aksident.
Një grup prej 53 shqiptarësh ishin nisur më 25 dhjetor, të organizuar nga një agjenci turistike për të kaluar Krishtlindjen në Dubrovnik të Kroacisë. Turistët ishin duke u kthyer për në Tiranë përmes Malit të Zi, kur autobusi i tyre u përmbys në zonën e quajtur Fusha e Mërkotit mes Tivarit dhe Ulqinit. Fatkeqësisht në këtë aksident humbi jetën një shtetase shqiptare./m.m/