6 nga 12 të plagosurit që përfunduan në spitalin e Traumës pas aksidentit të ndodhur pasditen e së martës, në autostradën Durrës-Tiranë, pak përpara hyrjes në kryeqytet, kanë lënë sot spitalin, ndërsa 6 të tjerë po marrin ende trajtim.

Të gjithë ishin udhëtarë të një minibusi të linjës Berat-Tiranë, i cili doli nga rruga duke përfunduar në një kanal anësor, pasi shoferi 36 vjeçar Redion Hasimi, i cili ka ndërruar jetë, dyshohet se humbi drejtimin e mjetit si pasojë e një infarkti.

Sipas të dhënave zyrtare nga spitali, një fëmijë i mitur 8 vjeç, ndodhet në pavionin e reanimacionit “me parametra jetësorë stabël”. Familjarët e 8-vjeçarit thanë jashtë kamerave për Report Tv, se i mituri po udhëtonte me gjyshen e tij. Ata shtuan se e moshuara është një ndër pacientëve qe ndodhet në spitalin e Traumës në gjendje të rëndë, e cila rrezikon humbjen e gjymtyrëve të poshtme. 

Në te njëjtin pavion “edhe një shtetase vietnameze me nënshtetësi çeke, 56 vjeç, e cila është në monitorim intensiv. Ajo paraqitet me parametra jetësorë stabël, por në gjendje të rëndë shëndetësore për shkak të dëmtimeve të shumta të marra”.

Një tjetër fëmijë 14-vjeçar “ndodhet jashtë rrezikut për jetën, në pavion, nën kujdesin e stafit mjekësor, me dëmtime në gjymtyrët e poshtme”. Për tre të plagosur të tjerë të cilët gjatë ditës së djeshme iu nënshtruan ndërhyrjeve kirurgjikale, mes të cilëve dhe një 20 -jeçare çeke me origjinë nga Vietnami, spitali i Traumës njoftoi se “gjendja e tyre shëndetësore është e stabilizuar dhe do të vijojnë të qëndrojnë në monitorim intensive”.

Do të jetë ekspertiza mjekoligjore ajo që do të përcaktojë me saktësi shkakun e ngjarjes. 36-vjeçari përshkonte pothuajse çdo ditë itinerarin Tiranë–Berat dhe anasjelltas. Nga verifikimet e kryera nga policia rezulton se ai nuk po lëvizte me shpejtësi mbi normat e lejuara.

Në segmentin ku ndodhi aksidenti, kufiri maksimal i shpejtësisë është 100 km/h, ndërsa autobusi ka qenë duke lëvizur shpejtësi më të ulët. Po ashtu, verifikimet e Policisë Rrugore të Tiranës tregojnë se 36-vjeçari nuk kishte precedentë si drejtues problematik dhe nuk rezulton të ketë pasur shkelje të konstatuara të rregullave të qarkullimit rrugor.

Njoftimi i Spitalit të Traumës

Spitali Universitar i Traumës njofton se ekipi multidisiplinar i SUT ka qenë në gatishmëri dhe ka ndjekur në dinamikë pacientët e përfshirë në aksidentin e ndodhur në autostradën Tiranë–Durrës.

5 pacientë, të cilët ditën e djeshme janë paraqitur koshientë dhe më të stabilizuar, pas trajtimit mjekësor sipas protokolleve përkatëse, janë larguar nga spitali jashtë rrezikut për jetën, me këshillë nga mjeku.

Gjithashtu, pritet që edhe një pacient tjetër të largohet nga spitali gjatë ditës, jashtë rrezikut për jetën dhe me këshillë nga mjekët.

I mituri 8-vjeçar ndodhet në Reanimacionin e SUT, me parametra jetësorë stabël.

Gjithashtu, në Reanimacion ndodhet edhe një shtetase vietnameze me nënshtetësi çeke, 56 vjeç, e cila është në monitorim intensiv. Ajo paraqitet me parametra jetësorë stabël, por në gjendje të rëndë shëndetësore për shkak të dëmtimeve të shumta të marra.

Fëmija 14-vjeçar ndodhet jashtë rrezikut për jetën, në pavion, nën kujdesin e stafit mjekësor, me dëmtime në gjymtyrët e poshtme.

Sa i përket pacientëve që ndodhen ende në observimin e Urgjencës dhe që i janë nënshtruar ndërhyrjeve kirurgjikale, gjendja e tyre shëndetësore është e stabilizuar dhe do të vijojnë të qëndrojnë në monitorim intensiv. Ndër ta është edhe një shtetase çeke me origjinë vietnameze, 20 vjeç.