TIRANË- Një aksident tragjik u regjistrua ditën e sotme në aksin Tiranë-Durrës me 1 të vdekur dhe 12 të plagosur. Një autobus me pasagjerë ishte nisur nga Berati për në kryeqytet, kur drejtuesi i mjetit ka humbur kontrollin dhe mjeti është përmbysur në mes të rrugës.
Siç shihet edhe nga pamjet që solli Report Tv, përplasja ka qenë aq e fortë sa që autobusi ka marrë para dhe barrierat e rrugës të cilat kanë depërtuar brenda mjetit.
Viktimë e aksidentit mbeti vetëm shoferi. Ndërkohë, 12 të lënduarit ndodhen për mjekim te Spitali i Traumës. Burime për Report Tv bëjnë me dije se 7 prej pasagjerëve janë në gjendje të rëndë shëndetësore, përfshirë edhe një fëmijë i intubuar.
Policia e Shtetit ka ngritur një grup hetimor për të zbardhur rrethanat e aksidentit. Paraprakisht dyshohet se shoferi i mjetit ka pësuar infarkt dhe ka humbur kontrollin e mjetit.
Lajm në përditësim…

Autobusi i cili u përmbys në aksin Durrës-Tiranë është hequr me karrotrec nga vendi i ngjarjes.
Dyshohet se shkak i aksidentit, ishte pasi shoferi 36-vjeçar pësoi një arrrest kardiak.

Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, ka reaguar për aksidentin e autobusit të linjës Berat-Tiranë në aksin Kashar-Tiranë, ku humbi jetën drejtuesi i mjetit dhe u plagosën 13 persona.
Përmes një postimi, Lamallari i shprehu ngushëllimet familjes Hasimi për humbjen e të afërmit të tyre, ndërsa u uroi shërim të shpejtë të gjithë të lënduarve.
Ai bëri me dije se Policia e Shtetit ka qenë menjëherë në vendngjarje dhe po punon për të zbardhur shkaqet e aksidentit.
"Momente të tilla të vështira duhet të shërbejnë edhe si një thirrje për të gjithë drejtuesit e mjeteve që të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, si garancia më e madhe për vetë jetën", shkroi Lamallari.
Policia e Tiranës ka bërë një deklaratë pas përmbysjes të autobusit të linjës, Berat-Tiranë.
Njoftimi:
Përditësim informacioni dhe saktësim i të dhënave për aksidentin e rëndë rrugor, të ndodhur rreth orës 15:00, në autostradën Durrës–Tiranë, në segmentin Qafë Kashar–Casa Italia.
Në vijim të deklaratës për media të dhënë nga Drejtori i Policisë Rrugore, Drejtues i Parë Perlat Vatoci, në të cilën u deklarua se si pasojë e aksidentit kishin humbur jetën dy shtetas dhe 15 shtetas të tjerë po merrnin ndihmë mjekësore, pas saktësimit të informacionit rezulton se:
Si pasojë e aksidentit ka humbur jetën një shtetas, konkretisht drejtuesi i autobusit, shtetasi R. H., 36 vjeç, banues në Kombinat, Tiranë.
Gjithashtu, janë dëmtuar 12 shtetas, pasagjerë në autobus, dhe jo 15 shtetas.
Nga të dëmtuarit, 7 shtetas janë në gjendje të rëndë, ndërsa 5 të tjerë kanë pësuar dëmtime të lehta dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Të gjithë të dëmtuarit po marrin ndihmën e nevojshme mjekësore.
Konfuzioni në raportimin fillestar u krijua për shkak të situatës së rëndë në vendngjarje dhe transportimit të të dëmtuarve si në spitalin shtetëror, ashtu edhe në një spital privat. Një fëmijë, i cili mbërriti në spitalin privat pa shenja jete dhe fillimisht u raportua si viktimë, u rikthye në jetë nga ekipi mjekësor përmes procedurave të reanimimit. Më pas, fëmija është transportuar në Spitalin Ushtarak dhe ndodhet nën kujdes intensiv mjekësor.
Ndërkohë, grupi i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet në vendngjarje për përcaktimin e shkakut të aksidentit dhe dokumentimin e plotë ligjor të rastit.
Drejtori i Policisë Rrugore, Perlat Vatoci tha në një prononcim për mediat se 15 persona kanë mbetur të plagosur nga përmbysja e autobusit i linjës Berat-Tiranë dhe anasjelltas.
“Janë 15 të plagosur, një fëmijë në gjendje të rëndë. Paraprakisht dyshohet humbje e kontrollit. Policia e shtetit apelon që të gjithë të respektojnë rregullat e qarkullimit. Autobusi është lincesuar për transportin e pasagjerëve, Berat-Tiranë dhe anasjelltas. Ngjarja është në hetim e sipër”, tha Drejtori i Policisë Rrugore.
Report Tv ka siguruar disa pamje nga autobusi që u përmbys këtë të martë në aksin rrugor Durrës-Tiranë.
Siç shihet edhe nga video, autobusi ka thyer barrierat mbrojtëse, dhe kjo e fundit ka kaluar mes përmes autobusit.
Komente







