Qeveria ka miratuar aktin normativ për rishikimin e buxhetit të shtetit për vitin 2026, duke parashikuar fonde shtesë për pensionet, shëndetësinë, mbrojtjen, si dhe mbështetjen e bujqësisë dhe biznesit.
Ministri i Financave, Petrit Malaj, bëri të ditur se për indeksimin e pensioneve që do të nisë më 1 korrik, për të cilin është vënë në dispozicion një fond prej 872 milionë lekësh. Ndërkohë, duke filluar nga viti i ardhshëm, indeksimi i pensioneve pritet të kryhet në muajin prill.
Sipas Malajt, me rishikimin e buxhetit parashikohet edhe dyfishimi i pagesës për fëmijët me aftësi të kufizuara, që do të ketë 10 mijë përfitues.
Në sektorin e shëndetësisë janë akorduar fonde shtesë për barnat onkologjike, si dhe për rritjen e pagave të personelit të urgjencës mjekësore.
Po ashtu, për sektorin e mbrojtjes janë planifikuar 10.3 miliardë lekë shtesë, ndërsa është rritur edhe fondi i garancisë sovrane.
Sipas ministrit, garancia sovrane nuk do të jetë më 3 miliardë lekë, por do të rritet në 5 miliardë lekë, fond që do të përdoret për të mbështetur bujqësinë, si edhe ndërmarrjet e vogla dhe të mesme.
Pensionistët do të përfitojnë një bonus vere me vlerë 5000 lekë. Janë mbi 777 mijë pensionistë që do të përfitojnë nga ky bonus, bëri me dije ministrja Delina Ibrahimaj.
lajm në përditësim...

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas miratimit në qeveri të aktit normativ për rishikimin e buxhetit, duke e cilësuar atë si një pasqyrë të një ekonomie në rritje që krijon mundësi për më shumë mbështetje financiare për qytetarët.
"AKTI NORMATIV I QERSHORIT që sapo kaloi në qeveri është pasqyrë kuptimplotë e një vendi ku ekonomia rritet dhe mundëson një tjetër bonus për pensionistët;
një rritje kuptimplotë të mbështetjes për personat me aftësi të kufizuar, fëmijët me aftësi të veçanta, autizëm, etj., si edhe kujdestarët e tyre;
një sërë masash të tjera mbështetëse për teknologjinë, sipërmarrjen, shëndetësinë, bujqësinë, zhvillimin urban e rural, ku masa e re për financimin e mbrojtjes është më madhja ndonjëherë në historinë e Forcave të Armatosura
Në ditët në vijim do të shpjegojmë çdonjërën nga masat, por mbetet domethënëse kalimi tek bonusi i pensionistëve edhe i të gjithë të ardhurave shtesë nga rritja e çmimit të naftës",- shkruan Rama.
Ministri për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, bëri të ditur se qeveria shqiptare miratoi sot 60.milionë euro te dedikuara për forcimin e infrastrukturës dhe rritjen e kapaciteteve të pushtetit vendor.
Sipas tij, 35 milionë euro do të shkojnë për përmirësimin e infrastrukturës bazë, ndërsa 25 milionë euro janë planifikuar për flotën logjistike, e cila do të përdoret për mirëmbajtjen e infrastrukturës bujqësore dhe asaj publike.
Pensionistët do të përfitojnë një bonus vere me vlerë 5000 lekë, njoftoi ministrja e Ekonomisë, Delina Ibrahimaj pas mbledhjes së qeverisë. Nga dita e nesërme nis shpërndarja e tij.
“Vendosëm të akordojmë një bonus për pensionistët, do të jetë bonusi i verës me vlerë 5000 lekë. Janë mbi 777 mijë pensionistë që do të përfitojnë nga ky bonus, persona me statusin e invaliditetit. Efekti financiar i këtij bonusi është rreth 3.7 miliardë lekë. Do të vazhdojmë të kemi vëmendje të shtuar për të ardhurat e pensionistëve. Ky bonus jepet për herë të parë në mes të vitit. Ai do të nisë të shpërndahet nga dita e nesërme. Bonusi i shtohet bonusit që pensionistët janë duke marrë që nga janari”, tha ministrja.
Gjithashtu është rritur masa e garancisë sovrane për bizneset.
“Rritet masa e garancisë sovrane për mbështetjen e bizneseve. Ky vendim lidhet me programin “Dyfisho sipërmarrjen tënde” që u dedikohet gjithë bizneseve në Republikën e Shqipërisë. Norma e interesit që do të aplikohet nga bankat do të jetë mesatarisht 2%”, tha Ibrahimaj.
Komente











