TIRANE- Edmir Koleci, njeriu që vrau gjatë një aksidenti me makinë efektivin e policisë së Kamzës Selman Lena, rrezikon të dënohet me 18 vite burg nga Gjykata e Tiranës. Këtë masë dënimi e kërkoi në seancën e djeshme gjyqësore prokurori Ramadan Troci, i cili i tha gjykatës që të deklaronte të pandehurin Edmir Koleci fajtor dhe ta dënonte atë me 18 vite burg. Ndërkohë që për sa i përket bashkëpuntorit tjetër në këtë çështje, të pandehurit Shkëlzen Sylaj, prokurori Troci gjatë dhënies së pretencës ka pohuar se Sylaj të dënohet me 4.6 vite burg për akuzën e “Përkrahje e autorit të krimit”.

Pretenca e prokurorisë për këtë ngjarje është dhënë në seancën e dytë të këtij procesi, pasi dy të pandehurit kanë pranuar akuzat dukë kërkuar gjykim të shkurtuar. Koleci, akuzohet nga prokuroria e Tiranës për veprën penale të “Shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Largim nga vendi i aksidentit”

Vdekja e policit
I pandehuri Edmir Koleci, një person me precedent të mëparshëm penalë ditën e aksidentit në 4 maj të këtij viti, ka qënë duke drejtuar automjetin BMË X6. Teksa ecte me shpejtësi të madhe, ka dalë nga rruga dhe ka goditur postobllokun e policisë së Kamzës, ku ishin vendosur policët Selman Lena dhe P.Lleshi. Nga përplasja me postobllokun policor, makina luksoze ka goditur për vdekje efektivin Selman Lena, ndërkohë që ka plagosur rëndë kolegun e tij, P.Lleshi.

Pas këtij veprimi, Edmir Koleci është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes, duke u ndihmuar nga shtetasi Shkëlzen Sylaj. Koleci është arrestuar një ditë më pas në qytetin e Durrësit, duke deklaruar në polici se në momentin e aksidentit ka qënë i dehur. Ndërkohë që për kapjen e tij, policia e asaj kohe vendosi si shpërblim 10 milion lekë, për këdo që do informonte.

Shkrimi u publikua sot (03.12.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)