Përgjatë 2 orëve monitorim në Rrugën e Kombit, Policia Rrugore i ka pezulluar patentën 60 shoferëve, ndërsa 105 të tjerë janë gjobitur.
Nëpërmjet makinave inteligjente të vendosura në rrugë janë skanuar automjete që lëviznin me shpejtësi mbi normat, nga 137 km/h deri në 192 km/h.
Ndërkohë 2 kilometra larg vendit të makinave inteligjente ishte e pozicionuar patrulla e Policisë Rrugore ,e cila bënte ndalimet e shoferëve në shkelje të rregullave.
Njoftim i Policisë:
"Vijon monitorimi i qarkullimit me makinën inteligjente, kësaj here në Rrugën e Kombit. Gjatë 2 orëve monitorim, i cili do të vijojë edhe përgjatë orëve të vona të mbrëmjes, janë pezulluar 60 leje drejtimi, si dhe janë vendosur 105 masa administrative, për tejkalim të shpejtësisë tej normave të lejuara, pa sanksionin plotësues të pezullimit të Lejes së Drejtimit. Makina inteligjente, për dy orë, ka skanuar automjete që qarkullonin me shpejtësi nga 137 km/h deri në 192 km/h. 2 kilometra më tej pozicionimit të makinës inteligjente në Rrugën e Kombit, patrulla e Policisë Rrugore kanë ndaluar automjetet e evidentuara në shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor. Masat administrative u vendosën jo vetëm ndaj këtyre drejtuesve të mjeteve, por edhe ndaj 105 drejtuesve të tjerë, që makina inteligjente skanoi gjatë punës së saj"