Nga fushatat sensibilizuese, gjobat, mbyllja e biznesit e deri tek bllokimi i pasurive të paluajtshme. I gjithë viti 2025 do t’i dedikohet një lufte me disa fronte dedikuar goditjes së informalitetit.

“Po punojmë për bllokim të llogarive kush nuk paguan tatimet”, u shpreh Malaj.

Brenda vitit 2025 do të jetë funksional ‘Regjistri i Aseteve’, për të gjitha bizneset, dhe kush shmang tatimet apo nuk i paguan detyrimet, edhe duke përdorur si strategji shpalljen e falimentit, do të përballet me bllokim pasurish.

“Do të ketë bashkëpunim më të ngushtë midis Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe DPSHTRR por edhe me Kadastrën për të bllokuar pasuritë e paluajtshme të subjekteve që kanë detyrime. Deri më sot kemi hasur në vështirësi për të bllokuar pasuritë e atyre që kanë detyrime. Do krijohet edhe regjistri i aseteve ku do të bëhet një analizë risku, për të kuptuar pasuritë që kanë këta subjektet që kanë detyrime tatimore”, tha ministri i Financave Petrit Malaj në Komisionin e Ekonomisë, 

Fokusi kryesor kundër informalitetit do të jetë tek ulja e nën deklarimit të pagave, si dhe pagesa e sigurimeve shoqërore e shëndetësore. Aktualisht borxhet e bizneseve për mos pagim të sigurimeve ka arritur në 234 milionë euro.

“23.4 mld lekë është borxhi për sigurimet shoqërore, duhet të theksoj se gjysma e këtij borxhi është e pa mbledhur sepse ato subjekte janë mbyllur, dhe rreth 12 miliardë lekë është borxh bashkë me penalitete dhe interesa për pagesa të vonuara”, tha Malaj. 

Ngritja e regjistrit të Aseteve të tatimpaguesve ka si synim edhe vlerësimin real të pasurive të tatimpaguesve. Përmes këtij regjistri ku do të ketë të dhëna mbi pronat, makinat apo pasuri të tjetra, administrata tatimore do të bëjë ballafaqimin e pasurisë me të ardhurat e deklaruara nga tatimpaguesi, proces që bëhet për të goditur pasurinë e pajustifikuar. Vetëm nga aksionet kundër informalitetit dhe miradministrimi Ministria e Financave planifikon të mbledhë 150 milionë euro shtesë në vitin që vjen.