Dy zhytës holandezë dhe ekspertët ushtarakë shqiptarë, janë duke organizuar një operacion për pastrimin e detit nga minat. Aksioni i koduar “Plazhet e Pastra", nisur kohë më parë nga Ministria e Mbrojtjes, nuk e ka çuar në fund misionin për pastrimin e bregdetit të Vlorës nga predhat luftarake të hedhura aty prej Luftës së Dytë Botërore. Prej dy ditësh ka nisur një tjetër operacion, i cili vjen si bashkëpunim midis forcave holandeze dhe atyre shqiptare për të hequr një tjetër sasi të madhe predhash, e cila mendohet se shkon në disa ton.

Dy zhytës hollandezë si dhe një gomone, ku përfshihen disa zhytës shqiptarë, janë angazhuar në këtë operacion. Burime pranë Forcave të Armatosura Shqiptare pohojnë se aksioni konsiston në heqjen e predhave, fillimisht që prej vendit ku gjenden dhe më pas synohet asgjësimi i tyre në ishullin e Sazanit. Burime nga Distrikti Detar i Vlorës bënë të ditur sot se operacioni i përbashkët, i koduar EOD, do të përqendrohet në disa pika të gjirit detar të Vlorës, që në terminologjinë përkatëse cilësohen “të nxehta” për shkak të pranisë në to të municioneve luftarake të mbetura nga periudha e Luftës së Dytë Botërore apo prej vitit 1997.

Mes këtyre zonave, përfshihen hapësira nënujore pranë bregdetit të Zvërnecit, ajo në afësi të vendit të emërtuar “Kalaja”, “Shën Vasil”, “Raguza 1”, “Shën Jani”, në gadishullin e Karaburunit. Krahas këtij operacioni, që do të zgjasë disa javë, mjetet lundruese të Flotës Detare të Shqipërisë dhe asaj holandeze do të përfshihen edhe në stërvitjen e përbashkët të koduar “Albania Lion 09” që ka si synim perfeksionimin e ndërsjelltë të efektivave në pastrimin e hapësirave detare nga minat dhe municionet luftarake. Ajo do të shtrihet në të gjithë hapësirën detare të gjirit të Vlorës, duke u përqëndruar më së shumti në atë mes ishullit të Sazanit dhe gadishullit të Karaburunit.

Shkrimi u publikua sot (10.11.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online

(d.d/shqiptarja.com­)