Elon Musk ka fituar. Aksionerët e Tesla-s kanë miratuar paketën gjigante të shpërblimit prej 1 trilion dollarësh (rreth 866 miliardë euro), që do ta bëjë atë, të paktën në letër, trilionerin e parë në histori. Në Austin, Teksas, vizioni i tij përmbysi rezistencat dhe kaloi çdo gjykim të tregut, duke e kthyer një votim korporativ në një akt politik, simbolik dhe personal. Nuk u vendos vetëm rroga e një njeriu: u konfirmua fuqia absolute e themeluesit të tij dhe besimi — pothuajse fetar — i atyre që vazhdojnë të besojnë në mitin Musk.
Paketa, e miratuar nga mbi 75% e aksionerëve (edhe Musk vetë mundi të votojë përmes pjesës së tij të aksioneve në favor të kompensimit të vet), i jep themeluesit të Tesla-s rreth 423 milionë aksione të kompanisë prodhuese të automjeteve elektrike, që do të vlejnë, pra, pothuajse 1 trilion dollarë nëse Tesla arrin një sërë objektivash të parashikuar në marrëveshje.
Fondet e pensioneve, fondi norvegjez dhe Papa u mundën
Miratimi erdhi gjatë asamblesë së përgjithshme që filloi në orën 22:00 më 6 nëntor, në selinë e grupit në Teksas, pavarësisht kundërshtimit të ashpër të fondeve të mëdha të pensioneve amerikane — përfshirë Calpers — dhe të fondit sovran norvegjez, i cili e kishte quajtur planin "të tepruar" dhe "pa garanci të mjaftueshme qeverisjeje". Edhe Papa e kishte kritikuar planin si simbol të "një pabarazie që fyen vetë kuptimin e punës".
Por, në fund, kërcënimi i një largimi të Musk peshonte shumë. Ditët e fundit, kryetarja e bordit, Robyn Denholm, kishte paralajmëruar aksionerët: një votë kundër mund të nënkuptonte humbjen e Musk në drejtimin e Tesla-s. Në një letër dërguar aksionerëve, e cituar nga AP, Denholm dhe këshilltarja Kathleen Wilson-Thompson kishin kujtuar se Musk "nuk ka marrë një kompensim domethënës prej tetë vitesh" dhe se rezultatet e arritura që prej vitit 2018 kanë sjellë "735 miliardë dollarë vlerë të shtuar për aksionerët".
Musk dyfishon aksionet e tij në Tesla
Kështu, shumica, e shtyrë nga një fushatë masive — video motivuese, reklama dixhitale, faqja Votetesla.com — zgjodhi Musk. Narrativa e "gjeniut të pazëvendësueshëm" fitoi mbi gjuhën e kujdesit. Tani, me miratimin, sipërmarrësi nga Afrika e Jugut, me shtetësi kanadeze dhe i natyralizuar amerikan, dyfishon aksionet e tij në Tesla — nga 15% në pothuajse 30% — dhe konsolidon një kontroll të plotë mbi kompaninë.
Vendimi ka edhe vlerë politike dhe ligjore
Për shumë vëzhgues, kjo është fitorja përfundimtare e një vizioni sipërmarrës personal, vertikal, karizmatik, gati monokratik. Dhe me pasoja politike e ligjore. Pasi në vitin 2024 një gjykatë e Delaware kishte anuluar planin e mëparshëm prej 56 miliardësh, themeluesi i Tesla-s transferoi selinë ligjore në Teksas. Sipas Eric Talley (Columbia Law School), "Delaware ishte Meka e korporatave, derisa Musk i zhvendosi besimtarët e tij diku tjetër", duke e kthyer kështu largimin në një akt simbolik nga zemra e së drejtës korporative amerikane dhe duke shkruar një manifest të modelit të tij "më pak kufizime, më shumë liri veprimi".
Një plan i pamundur... e megjithatë i miratuar
Në një plan dhjetëvjeçar, bonusi stratosferik parashikon një sërë objektivash ambiciozë që Musk duhet të arrijë për të marrë të gjithë pagesën. Siç paraqitet në dokumentet e dorëzuara pranë SEC dhe të analizuara ditët e fundit edhe nga “The Guardian”, plani përfshin 12 "tranche" rritjeje progresive: çdo nivel kërkon një rritje të kapitalizimit të tregut me të paktën 500 miliardë dollarë, deri në arritjen e 8.5 trilionë dollarë deri në vitin 2035 (gati sa vlera e Meta, Microsoft dhe Alphabet së bashku).
Por nuk mjafton: Musk duhet gjithashtu të arrijë objektiva industrialë ekstremë: 20 milionë automjete të prodhuara, 10 milionë abonime aktive për sistemin Full Self Driving, 1 milion robotë humanoidë Optimus dhe 1 milion Robotaxi në shërbim komercial. Ndërkohë, duhet të garantojë të paktën 400 miliardë fitime në katër tremujorë radhazi.
Kompania ka pranuar në dokumentet e saj zyrtare se këto objektiva "do të jenë jashtëzakonisht të vështira për t’u arritur". Por pikërisht ky është, thonë në Tesla, kuptimi i sfidës: një bast mbi të ardhmen dhe mbi lidershipin e një "CEO superylli", siç e quajti dikur një gjyqtar i Delaware.
Të panjohurat
Pas këtij triumfi, megjithatë, mbeten të panjohurat. Shitjet globale janë në rënie, në Gjermani Tesla regjistroi në tetor një -50%, dhe premtimi për Robotaxi-t autonome mbetet i papërmbushur. Borsa, megjithatë, ka zgjedhur sërish besimin: aksioni është kthyer pranë niveleve më të larta të vitit, dhe kapitalizimi ka kaluar 1.5 trilion dollarë. Si gjithmonë, "Musk jeton në teh të katastrofës", ka kujtuar menaxherja amerikane Nancy Tengler. "Dhe çdo herë ka arritur të shpëtojë në sekondën e fundit". Por sa do të zgjasë kjo fatmirësi e pafre?/Corriere della sera
Komente









