TIRANE- Prej pak javësh, risia në Policinë e Shtetit, ka të bëjë me “vënien në provë” të oficerëve të rolit drejtues, të mesëm, etj, në aftësinë e tyre për të kryer sekuestrime masive të drogës. Tashmë, të gjithë efektivët e komisariateve të Tiranës, kanë kompetenca të plota ligjore, për të proceduar menjëherë në rastet kur konstatojnë prezencë apo posedim droge, pa pritur më parë ardhjen e ekspertëve të Seksionit Kundër Narkotikëve në Drejtorinë e Policisë së Tiranës. Dje, në total, u sekuestrua mbi 300 kg hashash në të gjithë vendin, ku një rol kyç ka pasur nisja e hetimeve dhe veprimeve të menjëhershme nga vetë komisariatet e policive. Në total, këto ditët e fundit, kjo sasi e kapur i ka kaluar disa ton.

Risia e aksioneve antidrogë
Burime të mirëinformuara pranë Policisë së Shtetit thanë për gazetën “Shqiptarja.com” se ky veprim ka efekte të shumëanshme, të cilat në të gjitha rastet janë pozitive, pasi në radhë të parë kursehet kohë e çmuar në vjeljen e menjëhershme të informacionit, në zbërthimin e elementëve të tjerë që ndihmojnë në çmontime të rrjeteve kriminale që trafikojnë drogë dhe në rritjen e vëzhgimeve apo monitorimeve. Ndërkaq, kalimi i kësaj kompetence te efektivët e komisariateve, pritet “t’i hapë punë” seksionit të Antidrogës, pasi edhe vetë oficerëve apo ekspertëve të këtij seksioni do t’u duhet më tepër punë dhe veprime në gjetjet, hetimet apo sekuestrimet e drogës, pa pritur materiale të gatshme nga komisariatet apo nga çdo polic që konstaton dikë me drogë.

Tashmë, nëse një patrullë e gatshme policore, e çdo komisariati kryeqytetas, që do t’i sekuestrojë drogë ndokujt, ka të gjithë autoritetin dhe ligjshmërinë për të proceduar direkt në vend, duke mbajtur në procesverbal provat e gjetura, deklaratat e personit apo prova të tjera rrethanore që mund të disponojë. Më tej, kjo patrullë, pasi plotëson dosjen, ka të gjithë të drejtën, për ta dërguar atë direkt pranë strukturës nga e cila varen, pra pranë komisariateve, ku, drejtuesit, më tej, do t’ua referojnë këto dosje prokurorisë. Pra, i gjithë ky zinxhir hetimor, që më parë ishte kompetencë e specialistëve të Antidrogës, tashmë do të kalojë pranë oficerëve të komisariateve të Tiranës. Ndërkaq, pritet që kjo praktikë të përhapet edhe në drejtoritë e qarqeve, ku në disa prej tyre, tashmë ka filluar të aplikohet dhe rezultatet kanë qenë konkrete.

Drogë e kapur dje
Burime të rezervuara policore pohuan për gazetën “Shqiptarja.com” se mbrëmë në orët e vona, në gjirin e Artës, në Sarandë, afër Ksamilit, u kapën 200 kg hashash. Policia po kryen verifikimet. U kap drogë në Durrës dhe në Gjirokastër. Ndërkaq, në vijim të operacionit të zhvilluar në Zall Bastar, u kap në flagrancë shtetasi Agron Aruçi, 18 vjeç, sepse pas një kontrolli të ushtruar në banesën e tij nga shërbimet e policisë të Komisariatit Nr.4, ju gjend një sasi prej 7 kg, lëndë narkotike e cannabis sattiva. Gjithashtu në cilësinë e provës materiale u sekuestrua dhe një armë gjahu, çifte. Dy ditë më parë u kapën dy vëllezërit Ilir Meta, 37 vjeç dhe Gani Meta, 33 vjeç, me 400 kg hashash dhe një laborator për përpunimin e tij.

 Shkrimi u publikua sot (14.11.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online

(d.d/shqiptarja.com)