Procedohen penalisht nga Krimi Ekonomik i Policisë së Shtetit 21 subjekte për fshehje të ardhurash, dhe  5 subjekte për magazimin dhe tregtim të mallrave kontrabandë në qytetet e Durrësit, Tiranës, Fierit, Lezhës dhe Beratit. Si pasojë e kësaj janë arrestuar në flagrancë 5 pronarë apo administrator pikash të tregtimit të karburanteve dhe janë shpallur në kërkim policor 2 të tjerë dhe 6 pika tregtimi hidrokarburesh janë bllokuar.

Procedimet vijnë në javën e parë aksionit ndër-institucional ndaj pikave problematike të karburanteve, me synim vënien në kontroll të këtij produkti dhe mbrojtjen e konsumatorëve, i paralajmëruar një javë më parë nga Kryeministri Rama.
 
Nga Rezultatet e katër ditëve të para të aksionit për kontrollin e karburanteve në terren – 4-7 Maj, nga Inspektoriati Qendror Teknik janë konstatuar 7 subjekte që tregtonin karburant cilësi të manipuluar. Po kështu, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka penalizuar 17 subjekte për përdorim të pompave manual dhe janë konstatuar 3 subjekte pa kasë fiskale, që ka rezultuar në bllokimin e tyre dhe cuarjen për ndjekje penale dhe po kështu është cuar për ndjekje penale edhe një subjekt i cili ka rezultuar i pa regjistruar.

Aksioni ka angazhuar Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik dhe Ministrinë e Energjisë dhe Industrisë, ndërsa në terren inspektimet janë kryer nga përfaqësues të Ministrive si edhe një ekip me përfaqësues të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, Drejtorisë së Përgjithshme të Metrologjisë, Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, Policisë së Shtetit, Inspektoriatit Qendror Teknik dhe koncesionarit për markimin e karburanteve.

Gjatë kontrolleve të katër ditëve të para të këtij aksioni, janë kontrolluar 43 pika tregtimi të karburanteve me pakicë.
 

Ndërkohë Aksioni po vazhdon shtrirjen e tij në të gjithë qarqet e Shqipërisë, me synim kontrollin dhe certifikimin e sigurisë, sasisë dhe cilësisë së karburanteve.
Në kuadër të aksionit do të ketë edhe ashpërsim të masave administrative dhe gjobave për shkelës të përsëritur, ndërkohë që shkeljet penale do të cohen për ndjekje në prokurori.

Redaksia Online
(al.h/shqiptarja.com)