Policia italiane ka kryer një operacion të madh antidrogë, i cili ka nisur prej vitit 2016, dhe ka çuar në pranga 20 persona. Droga trafikohej në Brescia, ku mes të arrestuarve janë edhe disa shqiptarë. Mediat e vendit fqinj raportojnë se një ditë më parë janë vënë në pranga edhe dy shqiptarë, në kuadër të këtij operacioni, duke e çuar në 12 numrin e shqiptarëve të arrestuar, ndërsa 8 anëtarë të bandës janë italianë. 

Hetimet për goditjen e këtij grupi të organizuar kriminal kanë nisur prej muajsh nga karabinierët, të koordinuar dhe nga Prokuroria e Brescia, të cilët kanë lëshuar 20 urdhër-arreste, ku mes italianëve mësohet se është edhe një grua.

Organizata kriminale trafikonte lëndë narkotike nga Holanda dhe Shqipëria, duke përdorur kanale dhe mekanizma të ndryshëm. Mediat italiane shkruajnë sot se korrierët shqiptarë e dërgonin drogën përmes skafistëve, ndërsa nga veriu i Evropës ajo mbërrinte në Brescia me aeroplanë. 

d.c./shqiptarja.com