SHKODER - Policia e Rendit në bashkëpunim me atë Rrugore kanë ndërmarrë një aksion të gjerë në qytetin e Shkodrës me qëllim ndalimin e personave të shpallur në kërkim.

Disa postblloqe policie janë vendosur në qendër të qytetit ku ndalohen për kontroll të gjitha automjetet e dyshimta apo ato me xhama të zinj. Masa administrative të rënda janë marrë ndaj drejtuesve të mjeteve me xhama te zinj.

Gjobat e vendosura kanë qenë mbi 20 mijë lekë të reja ndërsa efektivët e policisë u kanë hequr xhamat e zinj dhjetëra automjeteve. Ndërkaq, operacionet e policisë së rendit dhe asaj rrugore janë ndjekur edhe nga drejtuesit me të lartë të policisë së qarkut Shkodër.

Makinat me xhama të zinj janë konsideruar një problem i vazhdueshëm për policinë e kryeqendrës së veriut. Përveçse shkelje e ligjit, veshja e xhamave konsiderohet edhe si një mënyrë për të fshehur elementë të rrezikshëm kriminalë që mund të kalojnë pa u parë nga dëshmitarët dhe informatorët e policisë.

(Gre.M/Shqiptarja.com)