TIRANE - Një rrjet i gjerë që vijon të funksionojë në paligjshmëri në vendin tonë në fushën e basteve sportive, u godit nga Policia e Shtetit duke sjellë një numër të lartë arrestimesh në tetë qarqe, 115 persona. Goditja më e madhe u shënua në Tiranë, ku u vunë në pranga 84 administratorë dhe menaxherë të lokaleve dhe u zbulua një sallë qendrore që monitoronte aktivitetin në pikat e tjera tek e cila u sekuestruan 170 milionë leke të vjetra. Arrestimet erdhën pas hetimeve 7 mujore, dhe rreth 500 kontrollove me vendim gjykate në ambiente që ishin kthyer në vatër të lojërave të fatit dhe basteve online. Mes tyre, është edhe një emër mjaft i njohur, Gramoz Murarajt nga Vlora. Ai ka qenë një nga pronarët e kompanisë së basteve “eccobet” në Shqipëri, kompani të cilin ai e ka menaxhuar më vëllanë e tij Besnik Murataj. Ai ishte arrestuar në Vlorë vite më parë, me qëllim për t'u ekstraduar në Itali ku ishte i dënuar për trafik droge, por ka arritur të shpëtojë nga një vendim i Gjykatës së Lartë që rrëzoi kërkesën e autoriteteve fqinje. I arrestuar në "Qytet Studenti" përfundoi edhe vëllai i Natasha Mulajt, shefes së Këshillit të Posaçëm të Apelimit për vettingun, Elvis Mulaj.

Organizatorët e kësaj veprimtarie të paligjshme, mes të cilëve dyshohet të jetë emri i Gramoz Muratajt, rrezikon 7-15 vite burg, sipas parashikimeve të Kodit Penal.

Operacioni me përfshirjen e 1540 forcave policore u kodua "Fati i Lojërave" dhe u zhvillua në Tiranë, Durrës, Elbasan, Fier, Berat, Korçë, Lezhë e Shkodër, mbrëmjen e djeshme gjatë kohës që po luheshin ndeshjet e vlefshme për Europa League.

Policia sekuestroi 40 kompjuterë, 60 DVR, 245 aparate celularë, një numër të konsiderueshëm televizorësh plazma, blloqe shënimesh që shërbenin për vendosjen e basteve, kasa fiskale dhe një armë zjarri pistoletë. Ndërkohë që vijojnë që të jenë në kërkim 2 persona dhe 24 po ndiqen në gjendje të lirë.

Ky operacion është në vijim edhe në qarqe të tjera - tha në një deklaratë për mediat drejtori i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu -  për të evidentuar dhe goditur çdo tentativë për të ushtruar aktivitet të paligjshëm  të lojërave të fatit.

Fenomeni, duket se nuk është zhdukur, edhe pse me ligj, bastet online u ndaluan prej fillimit të vitit 2019.

Si funksionon skema e basteve në paligjshmëri?

Një qytetar i zakonshëm që preferon bastet, e ka të pamundur të provojë 'fatin' nëse nuk është i lidhur me personat që mbajnë në "jetë" në paligjshmëri këtë biznes. Shumë pika bastesh të mbyllura, u 'kamufluan' si lokale të zakonshme, por nuk humbën klientët bastexhinj. Personat në krye të kësaj skeme në të zezë, me një telefon të vetëm, duke arritur të fshehin ID-në e celularit që identifikon se është në Shqipëri, futet në faqet e huaja të basteve, të cilat në vendin tonë janë të bllokuara nga AKEP. Më tej, përmes një numri llogarie, qytetarët mund të vënë bastet. Ndërsa në mungesë të apasionuarve pas sportit që nuk kanë karta krediti, janë personat në krye të kësaj skeme, që u marrin paratë në dorë dhe i vënë bastet nga një kartë që përdorin masivisht për biznesin e tyre të paligjshëm. Kompanitë e transferta të parave dyshohet të jenë në vendet fqinje, ose shtete të tjera.

Disa nga menaxherët e arrestuar
Gramoz Murataj
Ervin Frashëri
Isuf Tato
Igli Oboni
Elvis Mulaj
Denis Hysko
Erdian Myftari

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:27
Kush është Gramoz Murataj/ Bosi i basteve në Shqipëri, rrëzoi ekstradimin në Itali

Gramoz Murataj, është njëri nga pronarët e kompanisë së basteve “ecco bet” në Shqipëri, kompani të cilin ai e ka menaxhuar më vëllanë e tij Besnik Murataj. Emri i Murataj, është publikuar për herë të parë në median shqiptare, pikërisht në “Shqiptarja.com”, atëherë kur ky personazh kishte probleme në gjykatën e Vlorës, pasi ishte arrestuar nga policia e këtij qyteti me qëllim ekstradimin e tij në Itali, ku ishte dënuar në 2004 nga gjykata e Lecces, me 4 vite e 6 muaj burgim për trafik droge. Bazuar në mandat-arrestin italian, Murataj u arrestua nga policia në vendlindjen e tij Vlorë në prill 2013. Si gjykata e shkallës së parë edhe ajo e Apelit në Vlorë e miratuan kërkesën për ekstradim drejt Italisë, por menjëherë pas këtij vendimi, Murataj u arratis nga banesa ku ishte caktuar masa e “arrestit në shtëpi”.

Kërkesa për ekstradim e tij në Itali në fund u hodh poshtë nga Gjykata e Lartë në janar 2014, e cila vendosi të prishë të dy vendimet e shkallës së parë dhe të Apelit Vlorë, ku ka refuzuar kërkesën e autoriteteve italiane për dorëzimin e këtij shtetasi në Itali. Që prej kësaj periudhe Gramoz Murataj, ka vijuar të qëndrojë i lirë duke kryer aktivitet në fushën e basteve sportive.

Ora 12:00
Anti-bixhozi/ Policia: 115 të arrestuar, u sekuestruan 17.2 mln lekë dhe kompjutera (PAMJET e tufave me euro)

115 persona janë arrestuar nga policia e shtetit në kuadër të operacionit 'Fati i Lojërave' që u zhvillua në tetë qarqe mbrëmjen e djeshme gjatë kohës që po luheshin ndeshjet e vlefshme për Europa League, ndërsa u sekuestruan 172 mln lekë të vjetra, 40 kompjuterë, 60 DVR, 245 aparate celularë, një numër i konsiderueshëm televizorësh plazma, blloqe shënimesh që shërbenin për vendosjen e basteve, kasa fiskale dhe një armë zjarri pistoletë.

Deklarata e plote e Policise se Shtetit
Pas një pune hetimore që ka zgjatur 7 muaj, për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e lojërave të fatit, Policia e Shtetit ka finalizuar mbrëmë me sukses të plotë, një operacion masiv në shkallë vendi. 

Operacioni policor i koduar "Fati i lojërave”, realizuar nga Departamenti i Policisë Kriminale, në bashkëpunim me Drejtoritë Vendore të Policisë në qarqe dhe FNSH-të Tiranë, Fier e Shkodër, ka sjellë hedhjen e prangave në flagrancë 115 persona, 24 të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë dhe 2 janë shpallur në kërkim.

Janë sekuestruar shuma të mëdha parash, kompjuterë të lojërave të fatit, armë zjarri, dhjetëra aparate celular e aksesorë të tjerë që shërbenin për organizimin dhe implementimin e aktivitetit kriminal. 

Ndër të arrestuarit janë edhe disa nga organizatorët kryesorë të kësaj veprimtarie të paligjshme që sipas parashikimeve të Kodit Penal dënohet nga 7 deri në 15 vjet burg. 

Bazuar në informacionet e marra në rrugë operative dhe nga informacionet e adresuara nga qytetarët në adresat zyrtare të Policisë së Shtetit, për ushtrimin dhe organizmin e lotarive dhe basteve sportive pa leje, vënien në dispozicion të lokaleve për lojëra fati, fshehje të ardhurash dhe pastrim të produktit të veprës penale, Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë regjistroi në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë procedimin penal nr. 5431 të viti 2019.

Pas një pune të mirëfilltë procedurale dhe hetimore, duke aplikuar format dhe metodat speciale të hetimit, u arrit të dokumentohej aktiviteti kriminal në Tiranë, Durrës, Elbasan, Fier, Berat, Korçë, Lezhë e Shkodër.

Mbi bazën e provave të siguruara, u nxorën nga Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë vendimet për kontrollin e vendeve dhe lokaleve në Tiranë ku dyshohej se ushtrohej kjo veprimtari kriminale.

Në këtë kuadër u organizua edhe operacioni policor i koduar "Fati i lojërave", i cili u zhvillua në të njëjtën kohë në të 8 qarqet e sipërpërmendura, nën drejtimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.

Gjatë operacionit, i cili u zhvillua në kohën e zhvillimit të ndeshjeve të futbollit të Europa League, u përfshinë 1540 forca policore, nga Departamenti i Policisë Kriminale, Departamenti për Sigurinë Publike, Drejtoritë Vendore të Policisë Tiranë, Durrës, Berat, Fier, Korçë, Elbasan, Lezhë, Shkodër dhe FNSH-të Tiranë, Fier e Shkodër.

Në Tiranë dhe në qarqe u ushtruan 486 kontrolle në lokale dhe ambiente që dyshohej se zhvillohej kjo veprimtari kriminale.

Si rezultat, në Tiranë u arrit të sekuestrohej një sallë qendrore monitorimi, e cila monitoronte aktivitetin që zhvillohej në pikat e tjera që zhvillohej ky aktivitet.

Në këtë sallë u gjetën dhe kapën në punë të zezë 6 punonjës, 20 monitorë, 17 DVR dhe administratori i sallës, shtetasi G. M. Po ashtu u gjetën dhe u sekuestruan 170 milionë lekë të vjetra, të grumbulluara nga bastet që ishin vendosur nëpër pikat e monitoruara prej kësaj qendre kriminale.

Janë arrestuar edhe menaxheret e grumbullimit dhe transportimit të lekëve nga pikat, konkretisht shtetasit:

 T. A., E. M., S. B., E. F. dhe N. E., menaxherë të pikave në Tiranë dhe A. N., menaxher në Durrës.

Në Tiranë janë arrestuar 84 administratorë dhe menaxherë të lokaleve ku organizonin lojërat e fatit dhe kishin vënë në dispozicion të ambienteve për zhvillimin e këtij aktiviteti të paligjshëm.

Në Korçë janë arrestuar 9 persona dhe 7 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë sekuestruar 1 milion lekë të vjetra. 

Në Elbasan janë arrestuar 7 persona dhe 1 është shpallur në kërkim.

Në Durrës janë arrestuar 5 persona dhe 2 janë proceduar në gjendje të lirë.
 
Në Berat janë arrestuar 4 persona, 6 janë proceduar në gjendje të lirë dhe 1 është shpallur në kërkim.

Në Fier janë arrestuar 3 persona dhe 3 janë proceduar në gjendje të lirë.

Në Shkodër janë arrestuar 3 persona, 3 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë sekuestruar 1 milionë lekë të vjetra. 

Në Lezhë janë proceduar në gjendje të lirë 3 persona.

Në total janë arrestuar 115 shtetas, janë proceduar në gjendje të lirë 24 dhe 2 janë shpallur në kërkim, si dhe janë sekuestruar në total 172 milion lekë të vjetra, 40 kompjuterë, 60 DVR, 245 aparate celular, një numër i konsiderueshëm televizor plazma, blloqe shënimesh që shërbejnë për vendosjen e basteve, kasa fiskale, një armë zjarri pistoletë.

Ky operacion është në vijim dhe në qarqet e tjera të vendit, për të evidentuar dhe goditur çdo tentativë për të ushtruar aktivitet të paligjshëm  të lojërave të fatit.

Policia e Shtetit është e vendosur për të  parandaluar dhe goditur çdo paligjshmëri në cilëndo fushë që ajo do shfaqet dhe gjen rastin të falënderojë qytetarët për besimin që ata kanë duke adresuar çdo paligjshmëri në Komisariatin Dixhital dhe në numrin pa pagesë 112.

Ora 10:09
Anti-bixhozi/ Arrestohen në Tiranë Gramoz Murataj dhe vëllai i shefes së KPA-së së vettingut

1582276745_murataj.jpeg

Gramoz Murataj
 

Report Tv zbardh detaje të reja nga arrestimet për bixhozin e jashtëligjshëm. Gazetarja e Report Tv Xhensila Kodra raporton se në Tiranë janë shoqëruar mbi 100 persona dhe 75 janë arrestuar, ndërsa të tjerë po hetohen në gjendje të lirë. Mes personave të arrestuar janë edhe Gramoz Murataj dhe Elvis Mulaj në Qytet Studenti, ndërsa janë sekuestruar edhe mjetet që përdornin për lojërat e fatit pa leje. Gramoz Murataj me origjinë nga Vlora rezulton i dënuar në Itali për drogë, ndërsa sot ka tre kompani me licencë në vendin fqinj për lojërat e fatit. Ndërsa Elvis Mulaj është vëllai i Natasha Mulajt, kryetares së Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, shkalla e dytë e vettingut. Vëllait të tij, Vladimir Mulajt i kanë vendosur tritol natën e vitit të ri në banesë në Qytet Studenti.

Ora 10:00
Aksion kundër bixhozit edhe në qarkun e Korçës, disa të shoqëruar

1582275643_aksioni.jpg
Aksioni kundër bixhozit është zhvilluar edhe në qarkun e Korçës gjatë mbrëmjes së djeshme. Në aksion krahas forcave të njësisë operacionale kanë qenë edhe forcat e komisariateve të drejtorisë vendore të qarkut dhe ato të ndërhyrjes së shpejtë. Operacioni është shtrirë në të gjitha lokalet e dyshuara për ushtrimin e paligjshëm të lojërave të fatit në qytete dhe fshatra te këtij qarku. Policia ende nuk ka bërë me dije detaje të këtij operacioni. Burime të siguruara thanë se ka disa persona të shoqëruar.

Ora 08:18
Aksioni kundër bixhozit, 64 të shoqëruar në Durrës, sekuestrohen celularët e basteve

1582268989_elbasan.jpg
Në Durrës aksioni kundër lojërave të fatit është zhvilluar gjatë gjithë natës dhe janë kontrolluar lokale në të gjithë qytetin nëse luhet bixhoz. Në ndihmë të policisë së Durrësit kanë qenë edhe forcat e FNSH-së. Janë shoqëruar 64 persona dhe po punohet për të zbardhur mënyrat që përdoren për të luajtur bixhoz online.

Sipas burimeve në policinë e Durrësit mësohet se deri në orët e para të mëngjesit nuk janë gjetur aparate, kompjutera apo makineri të cilat shërbejnë për të vënë baste apo për të luajtur bixhoz. Por sipas këtyre burimeve rezulton se metodat janë sofistikuar.

Bastet vendosen me celularë online në kompani që ndodhen jashtë vendit dhe paratë qarkullojnë nëpërmjet kompanive që merren me transferta monetare. Policia ka sekuestruar një numër celularësh të cilët po analizohen nëse ne to janë vënë baste online.