Është firmosur akti i parë i dorëzimit tek shteti i 4646 metër katrorë shtesë ndërtuar pa leje në pallatin ‘Syri i Tiranës’. Kompania e ndërtimit ka vendosur që pas sekuestrimit nga Qeveria si rezultat i Aktit të fundit Normativ kundër ndërtimeve pa leje, t’ia dhurojë këtë sipërfaqe shtetit. Rama ka thënë përmes një videomesazhi se 4646 m2 të ndërtuar pa leje në qendër të Tiranë do përdoren sipas ligjit për interes publik.

“Ja ku është edhe akti  i parë i dorëzimit! 4646 metra katrorë pa leje në mes të Tiranës, i kalojnë shtetit me kontratë noteriale. E ky është vetëm akti i parë i marrjes për interes publik  të pasurive në metra katrorë të paligjshme, që do të pasohet nga të tjerët deri në metrin e fundit katror. Prandaj, kush merret me mua e me ne duke na treguar si ata që fshihen pas kullave e pas pallateve, le ta shohë mirë të vërtetën ose le të vazhdojë të lehë, por unë i siguroj të gjithë ata që duan një Shqipëri të drejtë e që duan një Shqipëri ku ligji të jetë njësoj për të gjithë e të mos ketë të fortë para ligjit, se nuk do t’i tradhtoj kurrë”, u shpreh Rama.

Në videomesazhin e sotëm Kryeministri Duke iu rikthyer akuzave ai tha se askush, as opozitat që nuk lënë akuzë pa bërë, as mediat që nuk lënë gjë pa thënë, as drejtësia jo e jo, që nuk lë avlli apo papafingo nëpër periferi pa ndëshkuar, nuk i pa, nuk i tha, nuk i dëgjoi, nuk i kërkoi katet dhe metrat e ndërtuara pa leje për qëllim fitimi deri dhe në mes të Tiranës.

“Sepse të tërë, ose e kanë të ngjyer gishtin, kush më shumë e kush më pak, kush direkt e kush indirekt, në mjaltin e tullave e të betonit, ose i kanë sytë kaq të verbuara e veshët kaq tapë nga urrejtja që i mbush gojën me shpifje, me gënjeshtra, me akuza që janë shumë të fortë me të dobëtit, por shumë të dobët me të fortit. Ama kush ka kujtesë e di që luftën me ndërtimet pa leje dhe betejën për shijen urbanizuese dhe modernizimin civilizues e kam nisur bashkë me politikën, pa e reshtur kurrë, me shumë arritje, por dhe me disa dështime”, tha Rama.

Ai u shpreh se qeveria ka ulur dhjetë fish numrin e metrave katrorë pa leje  që ndërtuesit e pallateve i kishin dikur bukë e djathë mu këtu në kryeqytetin e Shqipërisë.

“Por ende nuk i kemi ndalur dot për fare, sepse gjithsesi e kanë  gjetur gjithnjë rrugën për ta blerë të drejtën që nuk e kanë, duke paguar inspektorë, ndonjë polic, ndonjë shef komisariati, por sigurisht  duke marrë peng gjykatës e prokurorë të cilët kanë patur  gjithnjë kollaj ta tregojnë zellin e tyre me më të dobëtit, për një avlli apo dhe një çati pa leje siç thashë. Ama tani kemi ardhur tek kapitulli i fundit i kësaj përpjekje të gjatë dhe pasi e kemi parë që drejtësia  e shitur për lekët e metrave pa leje u ka hapur vazhdimisht një shteg shpëtimi,  kemi marrë një vendim të ri qeverie dhe e kemi mbyllur çdo shteg, sepse mua dhe këtë qeveri, ta harrojnë, nuk na blejnë dot, askush! Unë e kjo qeveri  jemi të vendosur ta çojmë deri në fund çdo përpjekje pa u lodhur as nga  kthesat shpesh herë të forta, as nga të përpjetat, as nga  tatëpjetat të panumërta, të përditshme, në këto  kohë kaq të vështira”, u shpreh Kryeministri.

Kujtojmë se deri tani përmes operacionit kundër ndërtimeve pa leje është bërë publik sekuestrimi i dy objekteve. Zbatimi i operacionit nisi me ndërtesën 9-katëshe të biznesmenit, Julian Morina. Pallati 9-katësh, me 2 kate nën tokë dhe 7 të tjerë mbi tokë, ishte ndërtuar pa leje dhe për këtë arsye u sekuestrua nga qeveria. Ndërsa shtesa tjetër pa leje ishte në një pallat në ndërtim në zonën e Farkës në Tiranë, me një sipërfaqe 1200 me 2. Shtesat e kateve pa leje janë ndërtuar në pallatin në pronësi të biznesmenit Pëllumb Salillari.

Vendimi i qeverisë nisi zbatimin nga Tirana dhe do të shtrihet në çdo qytet vetëm për ato ndërtesa që janë ndërtuar me qëllim fitimi, duke përjashtuar ndërtesat të cilat janë të paligjshme por qytetarët i kanë ngritur për veten e tyre për të strehuar familjet. Godina edhe mund të shembet vetëm në rastet kur IKMT vlerëson që nuk përmbush kriteret urbane apo të sigurisë së strukturës. 

Mirëpo nuk do të ketë vetëm bllokim të objektit, sekuestrim, gjobë, konfiskim dhe ndjekje penale për ndërtuesit që shkelin lejet që marrin. Këshilli i Ministrave nëpërmjet një vendimi të miratuar ka vendosur që për të gjitha ndërtimet që do të bëhen të caktohet një mbikëqyrës, i cili do të kontrollojë të gjithë mbarëvajtjen e punimeve.  Sipas vendimit të qeverisë mbikëqyrësi ka detyrimin të njoftojë on-line brenda 5 ditëve në sistemin e-leje pranë autoriteteve përkatëse në rastet kur vëren se punimet e kryera janë në shkelje apo në tejkalim të lejes së ndërtimit. Nëpërmjet këtij sinjalizimi, do të ndërhyhet në kohë për të parandaluar shkeljet e kontratave me lejet e ndërtimit, siç është rasti i ndërtimit të kateve shtesë.

Syri i Tiranës

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:42
Aksioni kundër ndërtimeve pa leje, Salianji: A ka fuqi sot Rama të përballet me të fortët? Po kërkon të bëjë përgjegjës të tjerët dhe bën show

 

Deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji akuzoi sërish qeverinë për nismën e sekuestrimit të ndërtimeve pa leje. Deputeti edhe kësaj here, fton qeverinë të kthejë një përgjigje se kush janë personat të cilët ndërtojnë pa leje. Edhe kësaj here, Salianji thekson se fajtor dhe përgjegjësit kryesorë janë Rama, qeveria dhe institucionet, të cilat sipas tij janë nën drejtimin e kryeministrit.

‘Pse nuk trajtohen oligarkët si qytetarët, pse nuk referohen nga policia dhe IKMT në varësi të kryeministrit në prokurori ndërtimet e paligjshme?

Pse nuk i rrethon policia dhe IKMT oligarkët e ndërtimeve të paligjshme në kryeqytet siç bëhet show me këdo, siç ndodhi me doktorin. I rrasin në burg për një kotec qytetarët. Duket qartësisht që është përdhosur shteti kokë e këmbë.

Kanë shmangur taksat dhe kanë përdhosur institucionet. Prokuroria ka pjesën e saj të fajit, çon të dobëtit për tu përballur me ligjin dhe jo oligarkët që e kanë kapur për fyti. Fajtorët e vërtetë janë Rama e qeveria. Pse ende qeveria nuk kthen përgjigje kush janë personat e ndërtimeve pa leje

Para dy ditësh denoncova një përbindësh pas meje është një përbindësh tjetër me vendim të dhënë nga Rama. Kulla ka lartësi 33 sipas lejes së kryeministrit dhe KKT, ka më shumë se aq. Si ka guxim në mes të Tiranës të ndërtohen shtesa mbi shtesë dhe kryeministri të bëjë sikur gjithkush veç tij e ka fajin. Nuk ka pasur në këto nivele në Shqipëri….

Pa diskutim përgjegjëse kryesore janë institucionet e drejtuara prej  Ramës

Cilido në vend që ka bërë ndërtime e di që nuk vendos dot një tullë pa leje. Sot është mbushur sheshi kryesor , kryeqendra e vendit me ndërtime të paligjshme dhe kryeministri kërkon të bëjë përgjegjës të tjerët. A ka fuqi Rama sot të sjellë dhe të rrethojë me polici dhe t’i çojë në prokurori të fortët dhe të përballen si çdo qytetarët në vend? Nëse nuk ka fuqi ne do të jemi këtu për t’ua thënë çdo ditë. A ka këtu vendosje të shtetit nën hyqmin e oligarkëve?’- tha Salianji.

Ora 11:54
Sekuestrimi i kateve për leje, Bardhi akuza Ramës: Ka marrë vendim për të shpëtuar oligarkët që ka ortakë, të ndëshkohet nga drejtësia

Deputeti i Partisë Demokratike Gazment Bardhi ka akuzuar kryeministrin Edi Rama, në vend që të zbatojë ligjin dhe të çojë në burg oligarkët e t’u sekuestrojë katet e paligjshme, ka marrë një vendim për të shpëtuar kryeortakun e tij në biznes, me të cilin ndan kazinotë.

Sipas Bardhit, Rama nuk gënjen më dot njeri, sepse është paligjshmëria vetë dhe si i tillë duhet ndëshkuar nga drejtësia, për favorizim të paligjshmërisë dhe shkeljen e barazisë para ligjit.

‘Edi Rama ka dy ditë që gënjen pa u skuqur dhe pa u zverdhur për çështjen e kateve shtesë pa lejeve të oligarkëve të tij. Nuk është as ai, as qeveria e tij që e ngritën këtë problem, i cili në thelb ka mosfunksionimin e ligjit njësoj për të gjithë. Këtë çështje e ngriti opozita në Parlament në 14 Korrik, kohë përpara se Edi Rama të niste aksionin propagandistik për legalizimin e kateve pa leje të klientëve të tij dhe marrjen e tyre në mbrojtje shtetërore.

Në videon më poshtë, i kam thënë Edi Ramës që ul kokën para oligarkëve, sepse janë bashkë në një anije për te vjedhur shqiptarët. E mbajta këtë fjalim, pasi kisha nisur që në prill të merrja informacione zyrtare për paligjshmërinë e tmerrshme me kullat në mes të Tiranës dhe katet shtesë pa leje të tyre me bekimin e Edi Ramës.

Në vend të zbatonte ligjin, të çonte në burg oligarkët dhe t’u sekuestronte katet e paligjshme, Edi Rama nxori një vendim për të shpëtuar së pari kryeortakun e tij në biznes, me të cilin ndan kazinotë, grataçelat, autostradat, portet, dhe aeroportet e Shqipërisë. Pasi hapi rrugë për legalizimin e kateve pa leje dhe pasi unë denoncova në Kuvend skandalin e kateve pa leje dhe uljen e kokës së Edi Ramës para oligarkëve, nisi shoë siç e njohim tashmë.  Edi Rama nuk gënjen dot më njeri. Ai është paligjshmëria vetë dhe si i tillë duhet ndëshkuar nga drejtësia, për favorizim të paligjshmërisë dhe shkeljen e barazisë përpara ligjit.’- shkruan Bardhi.