TIRANE-Opozita ka zhvilluar ditën e sotme një takim të përbashkët pas protestës së ditës së shtunë para Kryeministrisë dhe Ministrisë së Brendshme. Në përfundim të takimit, përmes një deklarate për mediat opozita e bashkuar deklaron se aksioni opozitar do të vijojë deri në largimin e Fatmir Xhafës, pasi sipas saj po mban peng integrimin.

Opozita e bashkuar shpreh mirënjohjen dhe respektin e thellë për të gjithë qytetarët që protestuan me dinjitet dhe atdhetari kundër krimit, drogës, korrupsionit dhe qeverisë së kapur prej tyre, si dhe për qindra mijëra të tjerë që mbështetën protestën në çdo anë të Shqipërisë. Ata dëshmuan vlerat europiane të popullit tonë përballë qeverisë së lidhur me krimin dhe trafikun e drogës, dëshmuan qytetarinë e popullit tonë përballë harbutërisë së qeverisë.

Ata bënë të qartë se shqiptarët nuk pajtohen me krimin dhe drogën dhe, mbi të gjitha, nuk mund të tolerojnë një qeveri të kapur nga krimi. Qëndrimi i opozitës dhe qytetarëve të bashkuar kundër krimit dhe drogës për një Shqipëri Europiane është i vendosur dhe i pakapërcyeshëm: Fatmir Xhafaj duhet të largohet nga Ministër i Brendshëm dhe t’i hapë rrugën një hetimi të pavarur dhe të pandikuar nga pushteti që ai mban sot.

Policia e Shtetit duhet të çlirohet nga kapja prej klanit Xhafaj, i cili zëvendësoi klanin Tahiri-Habilaj, duke vazhduar të mbrojë krimin dhe trafikun ndërkombëtar të drogës. Edi Rama po vazhdon në mënyrë kriminale mbrojtjen me mekanizma mafiozë presioni dhe manipulimi të Fatmir Xhafajt.

Largimi dhe hetimi i tij dhe vëllait të tij sipas Ligjit Antimafia, si dhe ndalja e kërcënimeve dhe presioneve kriminale të Edi Ramës ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve në procesin ndaj Saimir Tahirit dhe figurave të larta qeveritare, që janë nën hetim për lidhje me krimin dhe korrupsion, janë kushte të pakalueshme për integrimin Europian të Shqipërisë. Lufta kundër krimit dhe drogës është kushti kryesor i hapjes së negociatave me Bashkimin Europian.

Qeveria e Edi Ramës e lidhur me krimin dhe drogën po e mban Shqipërinë peng, të izoluar nga Europa dhe në varfëri e mjerim. Ne nuk do të pranojmë dhe nuk do të lejojmë kurrë që e ardhmja e shqiptarëve të sakrifikohet për Fatmir Xhafajn, Saimir Tahirin dhe Edi Ramën. Edi Rama ka zgjedhur krimin dhe i ka dalë zot krimit. Opozita ka zgjedhur shqiptarët dhe do t’u dalë zot shqiptarëve dhe aspiratës tonë kombëtare për Shqipërinë si gjithë Europa.

Deklaratë e opozitës së bashkuar

Por si do të vijojë aksioni opozitar? Në mbledhjen e grupit të PD pati mjaft diskutime dhe ide deri në bojkot dhe djegie mandatesh, por në fund Basha së bashku me aleatët vendosën që deri në datë 28 qershor kur të merret vendimi për hapjen ose jo të negociatave për Shqipërinë nuk do të ketë bojkot të parlamentit.

Bojkoti i parlamentit deri në shkarkimin e Xhafës që u propozua nga shumica e deputeteve është plotësisht legjitim dhe më i natyrshëm në këto rrethana politike. Në fakt e vetmja mënyrë sesi mund të hapen negociatat është që, kur Europa sheh se edhe kur Rama Xhafaj me krimin i organizuar kanë kapur shtetin, qytetarët nuk e pranojnë, e refuzojnë, nuk mbyllin sytë . Kjo i tregon partnerëve se edhe pse Rama nuk i ka plotësuar kushtet, shqiptarët me reagimin e tyre si europianë që refuzojnë dhe nuk e pranojnë të keqen.

Lëvizja drejt bojkotit parlamentar në kushtet kur jemi investuar fort për hapjen e negociatave, rrezikon të deviojë vëmendjen nga cështja kryesore: që kemi një qeveri të lidhur me krimin e organizuar dhe trafikun e drogës. Kemi një ministër të Brendshëm vëllai i të cilit është një trafikant ndërkombëtar droge, i dënuar në Itali nga drejtësia por që me mbrojtjen dhe ndihmën e vëllait ministër të Brendshëm vazhdon aktivitetin kriminal. Kemi një kryeministër që është kaq i lidhur me krimin sa kalon nga një ministër i Brendshme pjesë e një organizate kriminale të trafikut të drogës te një ministër që ka vënë Ministrinë, policinë dhe prokurorinë në funksion të mbrojtjes së vetes dhe vëllait të tij trafikanët droge.

Në këto kushte, jam i mendimit të përdorim të gjitha format dhe mënyrat Demokratike si opozitë me grupin parlamentar, strukturat, qytetarët për të bërë të qartë qëndrimin tonë të prerë se largimi i Fatmir Xhafës është kusht i panegociueshëm i opozitës, veprim i domosdoshëm për hapjen e negociatave. As shqiptarët as Europa nuk mund të pranojnë që vendi të kalojë nga policia Tahiri Habilaj te policia Xhafaj dhe prokuroria Rama Xhafaj.

Fatmir Xhafaj duhet të largohet nga Ministër i Brendshëm dhe të hapë rrugën për një hetim të pavarur dhe të pandikuar nga pushteti që ai mban sot. Policia e Shtetit duhet të çlirohet nga kapja prej klanit Xhafaj, i cili zëvendësoi klanin Tahiri-Habilaj, duke vazhduar të mbrojë krimin dhe trafikun ndërkombëtar të drogës. Lufta kundër krimit dhe drogës është një kusht kryesor i hapjes së negociatave me Bashkimin Europian, plotësimi i të cilit po vazhdon t’i kërkohet me forcë qeverisë shqiptare nga qeveritë europiane

Fjala e Bashës para grupit të PD

Por çfarë kërkoi grupi i Partisë Demokratike? Ish-kryeministri Sali Berisha dhe deputetë të tjerë kanë kërkuar që të bojkotohet parlamenti.

Bojkot, nuk mund të qëndrojmë me narkotrafikantët. Shqipëria aktualisht është në fokus ndërkombëtar. Për opozitën nuk ka zgjedhje paqësore me Edi Ramën.

Sali Berisha

Hapi i vetëm që na mbetet është bojkoti. Ne duhet të shkëputemi nga ky parlament. Ramës ia dhamë kohën e duhur për Xhafën.

Flamur Noka

Qytetarët na kërkojnë të mos jemi në parlament, sepse aty bëhet teatër.

Klevis Balliu

Shqipëria nuk mund të bëjë përpara me dy ministra të Brendshëm të lidhur me drogën. Ka ardhur koha që të marrim seriozisht në konsideratë opsionin e bojkotit të parlamentit.

Bardh Spahia

Por disa deputetë të PD kanë qenë më radikalë duke kërkuar madje djegien e mandateve.

Zgjedhje me Edi Ramën nuk mund të kemi. Madje është koha që të shtrojmë edhe idenë e djegies së mandateve

Deputetë të PD

Por në fund u vendos që të mos ketë bojkot deri në vendimin e BE për negociatat. Opozita protestoi ditën e shtunë duke kërkuar largimin e Fatmir Xhafës nga posti i ministrit, pasi e akuzon se mbrojti vëllanë e dënuar në Itali.