TIRANË- Një nga sfidat kryesore të opozitës së Bashkuar pas ndryshimeve në Kodin Zgjedhor është edhe mënyra sesi do të organizohen për të shkuar në zgjedhjet e 2021, me një listë, dy lista, apo edhe të ndarë.

Aleatja kryesore, Monika Kryemadhi tha për Report Tv se aleancat me partitë e vogla ja ka lënë në dorë kryedemokratit Lulzim Basha Të ndarë në aksionin e tyre, por kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim thotë se kjo nuk është shenjë e mosrakordimit të opozitës së Bashkuar. Ajo sqaron se axhenda e përbashkët do të zbatohet pasi secila forcë të ketë përzgjedhur kandidatët për deputetë.

Por a do të jetë pjesë e listave të LSI, i përjashtuari me bujë nga anëtarësia e PD, ish deputeti Klevis Balliu? Ajo ka sqaruar se ai nuk do të jetë në listat e LSI-së, pasi vlerësimit duhet t'ia bëjë kryedemokrati Basha. Kur bie fjala te ish kryeparlamentarja Jozefina Topalli, Kryemadhi vazhdon të kundërshtojë Lulzim Bashën. Ajo thotë se do të jetë koha, që do të tregojë se cili prej tyre ka të drejtë për ish deputeten e Qarkut të Shkodrës.

Ndërsa vijon të sfidojë bashkëshortin Meta kryedemokratin Basha për ekzistencën e covid, ketë siguri e ka fituar falë shkollimit të saj.

VIDEO/ Intervista e plote me Monika Kryemadhi

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:53
Kryemadhi: Meta ka frikë nga virusi, 'më thotë ça është kjo që rri pa maskë'

Pyetur se përse nuk e mban maskën, në ndryshim nga presidenti Ilir Meta dhe kryetari i PD-së, Lulzim Basha,  ajo e lidh me shkollimin.

"Jo se nuk mbahet maska, por dua t'ju theksoj që maska nuk mbahet në rrugë, por në momentin që ju jeni shumë afër me njerëzit, një maskë që nuk preket me dorë. Meta ka frikë shumë nga virusi, se thotë 'ç'është kjo që rri pa maskë, unë s'bëhem ekonomiste si Meta, apo juriste si Basha", kam mbaruar për biokimi dhe kjo më jep një siguri përsa i përket imunitetit”, tha Kryemadhi.

Ora 18:49
Kryemadhi: Në 10 vetë, 8 e urrejnë Ramën 2 duan ta 'vrasin'! Ka frikë Metën se i ka zbuluar planin

Sulmet e bëra në drejtim të presidentit Ilir Meta, kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi i cilëson si një frikë që ka kryeministri Edi Rama, ndaj tij, kjo sepse sipas saj, meta e njeh shumë mirë dhe i ka zbuluar planin anti-shqiptar që Rama po vë në zbatim.

"Sepse mjafton të kthehemi në histori dhe të shikoni që të gjitha gjërat që Rama ka marrë nga politika janë si rezultat të Metës, tre herë kryetar Bashkie për shkak të Ilir Metës. Mjafton të ndjekim historinë e tij, i ka marrë me suportin e Metës, edhe më vota, më pas kemi edhe 2013 që Edi Rama po të mos ishte me LSI në koalicion do e kishte të pamundur fitoren, ai e di shumë mirë dhe toleranca e Ilir Metës sa i përket qeverisjes dhe në 2017 pasi pati një përkrahjes së Bashës, ai grabiti zgjedhjet e 2017. E kupton shumë mirë, se Meta e kupton filozofinë e tij anti-shqiptare, është demaskuar plani i tij, ka ndodhur gjë shtresën e mesme e ka kthyer në shtresë të varfër dhe ka pasuruar klientët e tij dhe kjo gjë është flagrante dhe ka dalë në diell, jo vetëm me ndarjen e Kosovës, marrëveshjes me detit, inceneratorët. Frika që ka ai iu shtua edhe 'Venecia', e të rinjve dhe të rejave, e mësuesve, pedagogëve, e SPAK, kjo është frika e madhe, edhe të sjelljeve psikologjike, ai nuk e përballon dot", shtoi ajo.

Ajo nuk mendon se Meta ka marrë rolin e opozitarit.

"Meta flet vetëm për mbrojtjen e kushtetutës. Flet për probleme që nuk është vetëm e opozitës, por të të gjithë shqiptarëve, në 10 veta, 8 e urrejnë, 2 janë gati ta vrasin, themi vrasje politike. Prandaj qëndrimi Metës nuk ka të bëjë me planin e opozitës, opozita ka planin e saj", tha ajo.

Ora 18:18
Kryemadhi sërish në mbështetje të Topallit! E mirëpres, koha do e tregojë nëse është patericë e Ramës apo ka një mision të vërtetë në politikë

Monika Kryemadhi vazhdon të kundërshtojë Lulzim Bashën sa i përket rikthimit në politikë të Jozefina Topallit.  Ajo shprehet se të gjithë duhet të bëhen bashkë kundër asaj që quan 'sekt të Rilindjes'.

"Mua si Monikë, nuk më takon kurrë ta them këtë gjë. Ne duhet të mirëpresim çdo parti të re politike, çdo individ që do të merret me politik, është normale që unë nuk kam aq shumë informacione sa mund të ketë z.Basha përsa i përket gjithë strukturave të tjera por ajo që është shumë e rëndësishme për secilin nga ne do ta tregojë veprimtaria politike e secilit individ apo strukturë të re politike se faktikisht nëse është mision  vërtetë për të krijuar një strukturë politike kundër Ramës apo për të qenë patericë e Ramës. Unë e mirëpres znj.Topalli sepse është një gjë shumë e mirë që të kemi përsëri një grua në jetën politike shqiptare që drejton një parti politike. Uroj që i gjithë angazhimi i saj të jetë në funksion të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, të jetë në funksion të përfshirjes të të rinjve dhe të rejave. Të jetë në funksion të ndalimit të shpopullimit që po i bën Shqipërisë Rilindja me Ramën në krye dhe normalisht që kur të gjithë kemi një mision dhe një objektiv të përbashkët për ta kthyer Shqipërinë shtëpinë e shqiptarëve, unë nuk mendoj se ka po themi një vend për të krijuar mendime të tilla. Ne sot duhet të kuptojmë që pika e përbashkët e strukturës politike, ekonomike dhe sociale shqiptare është vetëm një gje, 25 prilli zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe ndalimi i shpopullimit. Nuk kanë bizneset punëtorë që të punojnë, nuk kanë mësuesit nxënës nëpër klasa në qoftë se do të ikin të gjithë shqiptarët. Nuk do të ketë votues për partitë politike  nëse do të ikin gjithë shqiptarët. Kështu që mendon që është një nga pikat më të rëndësishme sot, për këtë duhet të artikulojmë sesa të merrmi me ketë gjë. Unë nuk dua të harxhoj kohë në kuptimin e komentimit por ju uroj suksese dhe shpresoj që në axhendën politike, jo vetëm të Jozefina Topallit  por të kujtdo partie politike apo strukture politike që do të angazhohet në zgjedhjet e 25 prillit të jetë pjesë e betejës kryesore  për integrimin e Shqipërisë në BE dhe ndalimin e shpopullimit të Shqipërisë", tha Kryemadhi.

Ora 18:17
A do jetë Klevis Balliu në listat e LSI, pas përjashtimit të PD-së? Kryemadhi shuan të gjitha dyshimet

Në intervistën për Report Tv, kryetarja e LSI-së, Monka Kryemadhi ka deklaruar se Klevis Balliu, i përjashtuar tashmë nga listat e PD-së për deputet, nuk do të garojë me LSI në zgjedhjet e25 prillit.

Për t’u ndalur pak në listat që do të paraqesë LSI-ja për zgjedhjet e 25 prillit, ju keni deklaruar se këto lista finale nuk do të kenë ndryshime nga grupi parlamentar i 2017. Do të kemi surpriza zonja Kryemadhi? Flitet në fakt se do të përfshini në listat tuaja për deputetë edhe një nga të përjashtuarit le ta quajmë nga anëtarësia e Partisë Demokratike, Klevis Balliu. Do t’i jepni një përgjigje shqiptarëve?

-Në fakt unë Klevisin e njoh që fëmijë. Klevisi është anëtar i PD-së, nuk është anëtar i LSI-së dhe këtu nuk është problemi që ne t’i bëjmë karshillëk njëri tjetrit. Unë jam e bindur që vlerësimin e Partisë Demokratike të Klevis Balliut nuk ka ngelur që t’ia bëjmë ne, por t’ia bëjë vetë kryetari i saj dhe PD-ja. Unë nuk mendoj se të qënurit në listat e deputetëve është po themi gjë e domosdoshme. Ajo që është shumë e rëndësishme është që listat e LSI-së, do të jenë lista të cilat do të vijnë pas një lloj procesi, jo vetëm të përfshirjes së anëtarësisë, por edhe të opinionit publik, edhe të leximit të kandidatëve të mundshëm që mund të ketë LSI-ja në qarqe të mundshme. Ne kemi përzgjedhur koordinatorë politikë, të cilët janë jo vetëm koordinatorë politikë për përgatitjen e axhendës elektorale, por edhe për ngritjen e grupeve të punës gjatë fushatave elektorale, të cilët jo vetëm marrin angazhimin e tyre nëpër struktura, por edhe një angazhim të gjithë përfshirjes së gjithë elementëve që i duhen një partie politike në fushatë elektorale. Sepse mund të jesh simpatizant, por nuk do të jesh anëtar i partisë. Mund të jesh militant që punon në fushatë dhe je mjaft aktiv, por nuk do të jesh i përfshirë në listat e deputetëve.

Për një gjë ju garantoj, që ne do të jemi shumë të  kursyer për sa i përket biznesmenëve, me lidhje të forta me bizneset apo ata që kanë qenë edhe përfitues me tenderë publik, që nuk do të jenë  pjesë në listat tona. Ne do të përkushtohemi shumë te njerëz që janë personalitete dhe njerëz me meritokraci në fushat e tyre profesionale dhe akademike e sidomos ajo për të cilën ne shquhemi, partia e të rinjve dhe të rejave, pra do të jenë shumë të rinj dhe të reja. Mendojmë që sot shqiptarët më shumë se kurrë duan t’i japin fund tranzicionit. Pavarësisht se mund të kemi figura të cilat kanë kontribut 16 vjeçar në LSI, njerëzit do të duan të shikojnë që këtij kontributi 16 vjeçar të figurave të LSI-së, t’i shtohen edhe kontribute të reja që vijnë me të rinj dhe të reja, të cilët kanë mbaruar studimet jashtë shtetit, duan të rikthehen në Shqipëri, apo shumë të rinj dhe të reja të cilët janë studentë të ekselencës, pjesë e profesionit të lirë në Shqipëri e që duan të jenë të përfshirë në këtë jetë politike.

Kështu që ky do të jetë një miksim i këtyre individualiteteve, që ka nevojë jo vetëm për hapjen e partisë, por edhe për të sjellë një frymë të re, por edhe një vizion të ri, sepse unë jam e bindur që fëmijët e mi mund të jenë më përparimtarë dhe më të evoluar, për sa i përket përdorimit të kompjuterit, telefonit e të tjera. E kështu në politikë ndodh që ka djem dhe vajza të rinj, të cilët vijnë me ide të reja për politikën, për arsimin, për ekonominë, për shëndetësinë pra po themi metodologjinë  e vjetër të tranzicionit që duan apo nuk duam ne vazhdojmë të jemi dhe jam e bindur që do ti japim n jë fund këtij tranzicioni politik ekonomik dhe social që ka Shqipëria prej 30 vitesh.