Akt- akuza: Vdekja e  Denisit
11-vjeçar, ja shkeljet e mjekëve/PDF

Akt- akuza: Vdekja e  Denisit<br />11-vjeçar, ja shkeljet e mjekëve/PDF
TIRANE- Prokuroria dërgon në gjykatë kërkesën për gjykim ndaj dy mjekëve irlandezë, Gerhald Fahy dhe Kevin Clarkson, të akuzuar për kryerjen e veprës penale të “Mjekimit të pakujdesshëm” me pasojë vdekjen e 11 vjeçarit Denis Alimadhi, (ne foto) i cili po i nënshtrohej një operacioni estetik në sy.
 
Prokuroria e Tiranës ka çuar në gjykatë kërkesën për gjykim ndaj dy mjekëve irlandezë, të cilët asistuan në operacionin e 11 vjeçarit Denis Alimadhi, i cili humbi jetën teksa po i nënshtrohej një operacioni estetik në sy. Ekspertiza mjeko-ligjore doli në përfundimin se duheshin marrë që më parë të gjitha masat për shmangien e një reaksioni nga narkoza, siç ndodhi në rastin konkret, ku sëmundja e hipertermisë te Denisi është shfaqur në prag të përfundimit të operacionit. “Shqiptarja.com” zbardh kërkesën për gjykim të Prokurorisë së Tiranës, ku shkruhet se  “nga tërësia e veprimeve hetimore, ka rezultuar se, nëse ndaj të  sëmurit D.A do të  ishin përdorur në kohë  (pra do të  ishin prezent në  sallën e operacionit) medikamenti farmaceutik Dentrolen jeta e tij me mundësinë më  të madhe do të  shpëtohej.

“Në  rastin e viktimës Den­is Alimadhi - vazhdon dokumenti i prokurorisë - sëmundja e hipertermisë  malinje është  shfaqur në prag të përfundimit të operacionit që duhet të  ketë qenë  shkaktuar nga narkoza e përdorur për daljen nga gjen­dja e komes. Në këtë moment duhej përdorur sa më shpejtë si mjekimi specifik me Dentrolen, i cili nuk u krye për shkak të  mosgjetjes së  tij ashtu edhe mjekimi simptomatik që  në  përgjithësi është aplikuar” shkruhet në kërkesën për gjykim.  Në përfundim prokuroria deklaron se mjekët, kanë vepruar me pakujdesi duke mos i dhënë mjekimin e nevojshëm në kohë, gjë që ka shkaktuar edhe vdekjen. 
 
Procedimi penal
Prokuroria kujton që “më datën 08.11.2012 është njoftuar Komisariati i Policisë nr.4 Tiranë se në morgun e IMLigjore Tiranë ka shkuar nga Spitali Francez Tiranë në gjendje pajetë fëmija D.A dtl 2001, i cili ishte i shtruar më parë në këtë spital për një ndërhyrje kirurgjikale, estetike, të syve. Viktima ishte planizuar po më këtë datë për një ndërhyrje në sy nga grupi i mjekëve irlandez, konkretisht të pandehurit kirurgu okulist Gerald FAHY dhe mjeku anestezist Kevin CLARKSON. D.A vuante nga sëmundja e lindur Ptoza (rënia) palpebrale e kapakëve të  syve të  sipërm (të të dy syve) dhe ka hyrë në operacion në gjendje të mirë shëndetësore’(...). Është formuar grupi operacional i përbërë nga dy të pandehurit, stafi mbështetës dhe ndërhyrja ka filluar normalisht në orët e paradites së datës 08.11.2012.

Gjatë operacionit pacienti D.A ka pasur komplikacione të menjëhershme duke u shoqëruar me temperaturë të lartë 45, shkaktuar si reaksion nga narkoza. Në këtë operacion të udhëhequr nga të pandehurit kanë qenë në rolin e vëzhguesit edhe mjekët shqiptar të pavijonit të okulistikës për qëllime trajnimi dhe marrje experience, por jo në përbërje të grupit që kryenin direkt operacionin. Gjendja e pacientit D.A u rëndua së tepërmi pavarësisht ndërhyrjeve dhe mjekimit të rastit që iu bë për ti shpëtuar jetën. Fëmija D.A gjeti vdekjen ne sallën e operacionit pas disa orësh nga fillimi i operacionit. Sipas ekspertizave mjeko-ligjore duheshin marr që më  parë të gjitha masat për shmangien e një  reaksioni nga narkoza, siç ndodhi në rastin konkret, ku përfshihej edhe sëmundja e hipertermisë  malinje (kryerja e testeve gjenetike dhe biopsisë muskulare, meqë nëse viktima me një ves kongjenital ishte i prirur për të pësuar këtë pasojë të rëndë) apo sigurimin më  parë  të  medikamenteve specifike për mjekimin e saj.

Sipas prokurorisë  dy mjekët  irlandez “me veprimet e tyre neglizhente dhe mosvepruese, duke vepruar me pakujdesi nuk i kanë dhënë mjekimin e duhur në kohë sipas protokolleve mjekësore pacientit në fjalë, duke i shkaktuar atij vdekjen e menjëherëshme. Ishte detyra e tyre të parashikonin çdo lloj komplikacioni dhe të garantonin ekzistencën e mjekimit të duhur për zgjidhje në cdo rast para se të hynin në sallën e operacionit. Për këtë rast të dy të pandehurit duhet të mbajnë përgjegjësi penale sipas ligjit penal shqiptar për këtë pasojë të pakthyeshme, humbjen e jetës së një fëmije 11 vjecar, atë të D.A në sallën e operacionit i cili hyri më datë 08.11.2012 për një ndërhyrje estetike në sy dhe doli prej saj  i pajetë.


  • Sondazhi i ditës:

    Skandali tek Onkologjiku, a duhet hetimet të shkojnë përtej mjekëve?



×

Lajmi i fundit

Euro 2024/ Portugalia i falet Diogo Costas pas 120 minutave dhe penalltive, mposht Slloveninë dhe gjen Francën në çerekfinale! Ronaldo gabon 11 metërshin

Euro 2024/ Portugalia i falet Diogo Costas pas 120 minutave dhe penalltive, mposht Slloveninë dhe gjen Francën në çerekfinale! Ronaldo gabon 11 metërshin