Policia e Kosovës në orën 21:00 ka mundur ta arrestojë në automjetin e tij në lagjen “Arbëria”, zonë ku dhe ndodhen selitë e ambasadave. Burime nga Policia e Kosovës, sqaruan për Shqiptarja.com se arrestimi i serbit pranë selive diplomatike është krejt i rastësishëm dhe se akti terrorist nuk ka pasur objektiv ambasadat, pasi makina ishte në lëvizje teksa është ndaluar nga një patrullë e Policisë së Kosovës. Po ashtu, të njëjtat burime përjashtojnë një tjetër pistë, atë të shpërthimit të mundshëm në Katedralen e Prishtinës.
Edhe pse zyrtarisht nga policia nuk bëhet i ditur se për çfarë lloj materiali eksploziv bëhet fjalë, ajo që është e qartë sipas tyre, është fakti se pas përgatitjes kjo lëndë eksplozive do të hidhej në erë me telekomandë për sulm terrorist.
I arrestuari Slobodan Gavriç është veterinar nga Rashka dhe aktualisht po mbahet në paraburgim nga policia e Kosovës.



Prangosje e serbit me 12 kg eksploziv, ka hedhur dyshime edhe me destabilitetin e vizitës së kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, në Prishtinë gjate se premtes.
Tentativa terroriste ka aktivizuar menjëherë mekanizmat qeveritarë e ata të sigurisë në vend. Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga ka takuar kryeministrin Isa Mustafa dhe krerët e mekanizmave të sigurisë: drejtorin e Policisë së Kosovës, Shpend Maxhunin dhe drejtorin e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Bashkim Smakaj të cilët diskutuan për rritjen e masave të sigurisë dhe kërkuan bashkëpunim nga shtetet fqinje për zbardhejn e plotë të ngjarjes.

Një reagim ka ardhur nga qeveria e Kosovës e cila dënoi tentativën terroriste me anë të një njoftimi në faqen e saj zyrtare.

I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i ministrit të Brendshëm kosovar, Skënder Hyseni i cili tha se shtetasi serb kishte synime të qarta terroriste dhe nëse sasia e eksplozivit do të kishte shpërthyer, pasojat do të ishin të tmerrshme.

Ndërsa homologu serb i këtij të fundit, Nebojsha Stefanoviç bëri të ditur se është bastisur shtëpia e 46-vjeçarit Gavriç në Rashkë dhe u tregua i gatshëm për të bashkëpunuar me EULEX-in kosovar.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës: Ndaluam serbin pas informacioneve nga Agjencitë Inteligjente
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, deklaroi se ndaj serbit është caktuar masa e ndalimit policor 48 orë deri në një vendim tjetër të organeve të drejtësisë. Ai ka thënë se policia nga ana e saj kishte informacione paraprake për këtë automjet, çka është finalizuar me ndalimin e saj.
“Policia ka pasur informacione paraprake të inteligjencës, kështu që ia ka dalë ta ndalojë veturën dhe ta arrestojë shoferin e saj. Substanca që dyshohet se është materie eksplozivi është dërguar për ekzaminim kurse i arrestuari është dërguar në bazë dhe po intervistohet”, tha Kelani.
A1 Report - Prishtinë, ndalohet makina me... by shqiptarjacom

Serbit të dyshuar për planifikim aktesh terroriste në Prishtinë, ndalim 48 orësh
Prokuroria Speciale e Kosovës njofton se po heton rastin e ndodhur mbrëmë, kur u arrestua një person, që kishte në veturë një sasi eksplozivi. Përmes një njoftimi për media, bëhet e ditur se prokurori mbrëmë, më 25 dhjetor 2014, rreth orës 21.00, ka urdhëruar ndalimin policor për 48 orë ndaj personit Slobodan Graviç., shtetas i Republikës së Serbisë, për shkak të dyshimit se ky person ka kryer veprën penale: “Përgatitja e veprës terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”.
Në makinë e personit të dyshuar është gjetur sasi e madhe eksplozivi, që dyshohet se ka qenë e planifikuar të përdoret për kryerjen e akteve terroriste
“Prokurori kujdestar nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, mbrëmë më 25 dhjetor 2014, rreth orës 21.00 ka urdhëruar ndalimin policor për 48 orë ndaj personit S.G., shtetas i Republikës së Serbisë, për shkak të dyshimit se ky person ka kryer veprën penale: “Përgatitja e veprës terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”, nga neni 144 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Në veturën e personit të dyshuar është gjetur sasi e madhe e eksplozivit, që dyshohet se ka qenë e planifikuar të përdoret për kryerjen e aktiviteteve terroriste.
Rasti është në fazën fillestare të hetimeve nga një prokuror vendës i Prokurorisë Speciale, i cili do t’i kërkoj gjykatës që ta caktoj masën e paraburgimit për të dyshuarin”.
