Akti normativ,  dështon buxheti
2012, mungojnë 170 mln euro

Akti normativ,  dështon buxheti<br />2012, mungojnë 170 mln euro
TIRANE- Qeverisë shqiptare i mungojnë në buxhet 167 milionë euro. Kjo del nga një Akt Normativ, me fuqinë e ligjit, që bën korrigjimet e reastit mbi ligjin aktual të buxhetit të shtetit për këtë vit dhe që ka marrë miratimin e Këshillit të Ministrave në mbledhjen e rradhës, ditën e djeshme. Kjo shifër gati është e barabartë me sasinë e fondeve, që pritej të arkëtoheshin nga pagesa e 20-përqindëshit të privatizimit të Albpetrolit, por që, deri tani, nuk është kryer nga kompania që rezultoi me ofertën më të mirë në tender.

Sipas këtij Akti, ministria e Financave ka dështuar me realizimin e shifrave të Buxhetit të Shtetit për këtë vit. Ashtu sikurse pritej, pas rezultateve shumë të dobëta të mbledhjes së të ardhurave për 10-mujorin, që duhet të jenë pasuar me performancë negative edhe si 11-mujor, qeveria vendos të ndryshojë parametrat kryesorë të Buxhetit, duke i ulur ato. Të ardhurat në total vendosen tani në kuotën e 332.8 miliardë lekëve, nga 355.8 miliardë lekë që ishin parashikuar në ligjin për Buxhetin 2012. Ulja është në masën 6.5 për qind, me një rishikim prej 23 miliardë lekësh. Thënë me fjalë të tjera, buxhetit të shtetit shqiptar i mungojnë aktualisht 167 milionë euro, sipas kursit aktual të këmbimit valutor.

Ndërkohë, edhe shpenzimet janë korrigjuar, duke përcaktuar shifrën prej 381.1 miliardë lekësh, nga 396.9 miliardë lekë, që ishte vendosur nga Kuvendi i Shqipërisë për këtë vit. Ulja është në masën 4 për qind, ose 15.8 miliardë lekë.

Ky rishikim rrit më tej borxhin, pasi ulja e të ardhurave është shumë më e lartë se ajo e shpenzimeve. Nga 73 miliardë lekë, që ishte parashikuar për sivjet kufiri i borxhit të ri, do të lejohet një rritje në masën 86.6 miliardë lekë, me rritje në masën 18.6 për qind. Duket se, edhe nisur nga këto shifra, qeveria ka ndërmarrë me parë ndryshimin e ligjit, që vendoste kufirin e borxhit publik në kuotën e 60 përqindëve të Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Në kuadrin e shpenzimeve buxhetore, bie sërish në sy se ulja e investimeve është më e madhe se ajo e shpenzimeve korrente. Këto të fundit ulen me ritëm 3 herë më të vogël se shpenzimet kapitale, që përdoren për investime në infrastrukturë, etj, që sjellin fitim. Madje, ka qenë vetë kryeministri Berisha, i cili më se një herë ka deklaruar publikisht se politika e qeverisë së tij ka qenë ajo e investimeve dhe jo e shpenzimeve që nuk sjellin fitim. Por, në praktikë ndodh krejtësisht e kundërta. Shpenzimet operative e të mirëmbajtjes janë sivjet 2.4 për qind më të ulta se parashikimi i fillimvitit, ndërkohë që investimet do të jenë 7.4 për qind më të ulta, ose 5.1 miliardë lekë, ose 37 milionë euro më pak. Për herë të parë, qeveria është gjunjëzuar edhe përballë barrës së papërballueshme të sigurimeve shoqërore, duke pranuar një rënie të të ardhurave dhe shpenzimeve në këtë drejtim në masën 1.2 për qind.

Nga ana tjetër, edhe fondi rezervë i Këshillit të Ministrave është korrigjuar me një ulje në masën 10 përind, me 1.8 miliardë lekë, nga 2 mimlikardë të planifikuar, ndërkohë që ulje ka patur edhe fondi i kontingjencës, me rreth 2 për qind.

Grantet nga jashtë vendit janë rreth 2.5 herë më të ulta se parashikimi, duke kaluar në 4 miliardë lekë, nga 9.8 miliardë lekë. Ndërkohë, të ardhurat tatimore pranohen me një rënie prej 6.1 përqindësh, por të ardhurat jotatimore, ku përfshihen gjobat që i vendosen biznesit dhe qytetarëtve do të kenë këtë vit një rritje prej 12.7 përqindësh.

(Shkrimi u publikua sot ne gazeten Shqiptarja.com  Versioni print i shkrimit)


Redaksia online
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Cilat janë pengesat për arritjen e armëpushimit mes Izraelit dhe Hezbollahut?

Cilat janë pengesat për arritjen e armëpushimit mes Izraelit dhe Hezbollahut?