Deputeti i PL, Edmond Haxhinasto thotë se rendimenti i punës së qeverisë është i ulët dhe se investimet publike ranë me 52 milionë euro.
“Ky akt normativ konfirmon bindjen se rendimenti i punës së qeverisë është i ulët. Shifrat janë objekt i saj i rëndësishëm dhe jo vendosja e një raporti të drejtë dhe dinjtoz mes të ardhurave, shpërndarjes dhe kostos së jetesës. Balanca e kësaj duhet të ishte objektiv parësor i qeverisjes, por sigurisht që aktualisht as dhembshuria, as solidariteti social nuk kanë vend në mënyrën sesi shpërndahen paratë publike. Pse duhet të shkojnë paratë tani që bëhet rialokimi? Këto para duhet të ishin planifikuar që në fillim. Të kesh rendiment të ulët të investimeve publike, kjo më duket një papërgjegjshmëri. Do kisha dashur që këto para të shkonin për çështje themelore për vendin, të shkonin për familjet e reja, të investoheshin në sigurinë e jetës, sidomos në atë ushqimore. Këtu ka para për dieta, për policinë, por si ka mundësi që dietat dhe shërbimet për policinë, paguhen tani ku ka mosrealizime. Kjo më duket çudi e madhe. Për familjet e përmbytura, do doja të shihja para për ta. Do kisha dashur të shihja më shumë te shëndetësia. Do kisha dashur të kisha parë investime më serioze te arsimi. Do doja më shumë investime në sektorin e teknologjisë dhe informacionit, ‘Diella’ është shumë e pamjaftueshme. Do kisha dashur të shkonin para, për të luftuar analfabetizmin. Investimet publike kanë rënë me 52 milionë euro.”, theksoi ai.
Lajmi kryesor:
LIVE TV - Akti normativ për buxhetin 2025, Malaj: Çdo lekë i pashpenzuar nga institucionet do të kalojë në llogarinë e pensioneve! Deputetët: Të dëmshpërblehen bujqit











