Incidenti i parë u shënua në Lezhë ende pa nisur zyrtarisht fushata elektorale. Teksa PS-ja bëhej gati për prezantimin e kandidatëve, në sheshin “Gjergj Kastrioti” mbërritën 5 militantë me parullën ‘Na morët frymën’.
Mes protestuesve ishte Arilda Lleshi, kandidate për deputete e koalicionit “Shqipëria bëhet” që drejtohet nga Adriatik Lapaj. Sipas saj, protesta bëhet për ndotjen që shkakton fabrika ‘INCA Natural Casings’ në pronësi të Alban Zusit. Policia Bashkia tentoi te largojë protestuesit, por njeri prej tyre goditi me grusht drejtorin e policisë bashkiake. Ndaj ndërhyri Policia e Shtetit duke shoqeruar protestuesit në komisariat.
Arilda Lleshi, kandidate ‘Shqipëria bëhet’ nga komisariati u shpreh se: “Dolëm me parullën tonë “Na morët frymën” shkuam paqësisht në mitingun e Partisë Socialiste, ku na thanë se do ishte Edi Rama, të cilin duam ta takojmë prej kohësh. Mbajtëm distancën dhe qëndruam në heshtje. Na u sulën me forcë Policia Bashkiake, duke gjuajtur mbi djemtë tonë. Tre prej tyre u shoqëruan nga policia”.
![]()
Në mbështetje të protestuesve, mbërriti te komisariati, drejtuesi i politik PD në Lezhë Agron Gjekmarkaj i cili tha se Policia Bashkiake po përdoret politikisht nga PS-ja.
“Demokratët nuk i tremb asnjë polici partiake, asnjë presion dhe asnjë pushtetar që abuzon me ligjin. I bëj thirrje Policisë së Lezhës dhe Policisë së Shtetit të mbajnë larg duart nga përndjekja e opozitës. Protesta për ndotjen që i bëhët Lezhës dhe rrezikut të shendetit të mijra qytetarëve, është më e rëndësishme se parada e një grushti oborrtarësh të rilindjes që do largohen me 11 Maj”, tha Gjekmarkaj.
Partia Socialiste e Lezhës e vazhdoi mitingun në shesh dhe përmes një deklarate i kërkoi PD-së të mos mbështesë çfaredolloje aktori që interferon në takimet elektorale, duke ngritur alibi mbi një fabrike që zë fill dhe është vendosur në Lezhë gjatë qeverisjes së Sali Berishës.
“Nuk do të tolerojmë askënd që në mënyrë të paligjshme ndërhyn apo pengon tubimet elektorale. Ftojmë të gjithë aktorët politikë të tregojnë përgjegjësi, të mos manipulojnë opinionin publik dhe të mos manipulojnë akte që ndotin klimën elektorale në Lezhë”, thuhet në deklaratë.
Policia e Lezhës bën të ditur se për incidentin po hetohet ne gjendje te lirë 49-vjeçari Aleks Gjoni, pasi u kallëzua për dhunë fizike nga drejtori i policisë bashkiake, Leonard Palaj, i cili pretenton se militanti e ka goditur me grushte.
Mbështetës të djathtë në Polici, pas incidentit të djeshëm në Lezhë
Protesta e djeshme në Lezhë për ndotjen provokoi edhe takimin elektoral të PS-së që po mbahej në sheshin “Gjergj Kastrioti” të Lezhës.
Ky konfrontim solli edhe goditjenme grusht në fytyrë gjatë shërbimit të shefit të Policisë Bashkiake Lezhë nga një 49-vjeçar që u procedua menjëherë nga Policia vendore.
Burime zyrtare bënë me dije sot (20 mars) se specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lezhë referuan materialet në Prokurori.
“Nisi procedimi penal për veprën “goditja për shkak të detytës”, për shtetasin A. Gj., 49 vjeç, banues në Lezhë, pasi ka kallëzuar shtetasi L. P., 47 vjeç, me detyrë shef i Policisë Bashkiake Lezhë, se dje, ndërkohë që ishte me shërbim gjatë një takimi elektroral, 49-vjeçari e ka goditur me grusht në fytyrë”, thuhet në njoftimin zyrtar.
Incidenti është shënuar pasditen e së mërkurës (19 mars) gjatë një takimi për prezantimin e kandidatëve për deputetë të PS-së në qarkun e Lezhës, të mbajtur në sheshin “Gjergj Kastrioti”.
Një grup personash dhe aktivistësh kanë shkuar me pankarta për të protestuar kundër ndotjes nga fabrika e mbetjeve me origjinë shtazore që krijohet në lagjen “Skënderbeg” dhe mos marrjen e masave nga autoritetet, duke prishur jo vetëm takimin elektoral, por shkaktuar edhe goditjen e kreut të Policisë Bashkiake.
Komente

