Një prej organizatorëve të protestës, aktivisti Andi Tepelena, gjatë fjalës së tij në tubimin para Kryeministrisë është shprehur se ndryshimi i kodit zgjedhor në Shqipëri, është një domosdoshmëri për të sjellë garë të barabartë mes subjekteve zgjedhore.

Gjatë fjalës së tij, teksa tha se kodi aktual zgjedhor ka marrë peng demokracinë, Tepelena shtoi se s’mund të ketë akoma komisione politike të numërimit të votave.

Tepelena shtoi se me një kod zgjedhor të ri do të çlirohet gjithë sistemi politik, ç’ka sipas tij do të sjellë edhe çlirimin e ekonomisë.

“Patjetër që pika një është e padiskutueshme, e panegociueshme, por edhe pika 2 është shumë e rëndësishme, krijimi i një qeverie teknike. Pse kërkojmë një qeveri teknike? E para në këtë vend janë eksperimentuar gjoja qeveri teknike, por kanë qenë parti PD e PS bashkëqeverisje, që kanë bërë lojëra politike në kurriz të demokracisë. Ne duam një qeveri teknike jopartiake, e përbërë nga njerëzit më të mirë të këtij vendi. Shqipëria është plotë. Dhe pse duam një kod zgjedhor. Sepse ky kod zgjedhor ka marrë peng demokracinë.

Është një lojë e ndyrë politike që bëhet që nga viti 2008. Nuk ka garë të barabartë. Duam garë të barabartë, si një garë sportive. S’mund të kemi komisione politike. Jo, duam akses të barabartë në fondet publike. Duam që çdo shqiptar të ndihet i lirë, pa u ndjerë i penguar nga partitë kryesore. Kodi zgjedhor është çelësi i demokracisë. Me një kod zgjedhor të ri do të çlirohet gjithë sistemi politik, atëherë do çlirohet energji më positive në këtë vend, do çlirohet ekonomia. Shqipërisë do i kthehen referendumet. Kushtetuta u përket qytetarëve, jo kryetarëve. Ne duam që Republika t’u kthehet qytetarëve”, tha mes të tjerash protestuesi.


Lajmi kryesor:

Protesta e 44-t/ 'Tkurret' pjesëmarrja, organizatori Lika mesazh qytetarëve për bojkotimin e pushimeve verore! Përsëriten thirrjet kundër klasës politike (VIDEO)