113-vjetori i krijimit të Policisë së Shtetit është përkujtuar edhe në Vlorë. Në një aktivitet të zhvilluar, si çdo vit, në ambientet e Drejtorisë të Policisë së Qarkut Vlorë, kanë marrë pjesë efektivë dhe punonjës të policisë në detyrë, por edhe ata të dalë në pension.
Prezente në këtë ceremoni, krahas drejtuesve më të lartë të Policisë së Qarkut, ishte edhe prefektja e Qarkut Vlorë, Evis Allushi.
Në fjalën e tij, drejtuesi i Policisë së Qarkut Vlorë, Elidon Çela, tha se kjo është një ditë e rëndësishme për të përkujtuar, vlerësuar dhe respektuar 113 vite histori, suksesesh, sakrifice dhe përkushtimi.
Sipas Çelës, misioni i Policisë së Shtetit gjatë këtyre 113 viteve ka qenë garantimi i rendit dhe sigurisë publike, mision i cili është përmbushur me devotshmëri. Sot, sipas tij, Policia e Shtetit përfaqëson një institucion profesionist, në krah të qytetarëve.
Prefektja e Qarkut Vlorë, në fjalën e rastit, theksoi rëndësinë e strukturës së Policisë së Shtetit. Allushi vlerësoi punën e efektivëve, duke i cilësuar ata të gatshëm kurdoherë për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike. Evis Allushi ka edhe një thirrje drejtuar qytetarëve që të kenë besim, por edhe ta mbështesin Policinë e Shtetit në punën e saj.
113-vjetori e gjen Policinë e Vlorës me disa aksione të suksesshme, parandalimin e disa ngjarjeve kriminale, arrestimin e dhjetëra personave, por mbi të gjitha edhe me një punë të madhe dhe sfida për t’u përmbushur në të ardhmen, për garantimin e jetës dhe sigurisë së qytetarëve.
Lajmi kryesor:
113 vjetori i Policisë së Shtetit, Ilir Proda: Nuk jemi ajo që flitet, por ajo që bëjmë! Nderim për 231 dëshmorët! Struktura jonë gur themeli për rendin dhe ligjin









