Festa e fëmijëve është përcjellë këtë vit me një atmosferë krejt unike për fëmijët e shkollave dhe kopshteve në bashkinë e Himarës. Green Coast ka hapur dyert për të gjithë vogëlushët, duke ofruar ambientet e tij në një larmi aktivitetesh për t’i bërë më të bukura ditët e kushtuara tërësisht atyre.
Maskota me personazhet e preferuar, lojëra argëtuese, kërcime, face-painting dhe muzikë kanë qenë disa nga aktivitetet që bashkia e Himarës në bashkëpunim me resortin "Green Coast" kanë sjellë për fëmijët.
Satbere Hoxha, Drejtuese e Divizionit të Aseteve dhe Hospitality në Green Coast, tha se fëmijët janë në fokus të aktiviteteve sociale të Grupit BALFIN, duke kujtuar rëndësinë që ka kujdesi dhe përkushtimi ndaj tyre për një fëmijëri të lumtur.
Green Coast ka pasur përherë një vëmendje të shtuar ndaj fëmijëve, në projekte të ndryshme sociale duke ndihmuar në përmirësimin e ambienteve ku këta fëmijë mësojnë, me financimin në pajisje të ndryshme shkollore si dhe në ndërtimin e ambienteve argëtuese në kënde lojërash siç është ai i shkollës së fshatit Dhërmi. Edhe këndi i lojërave i ndërtuar vitin e kaluar në resort është bërë për të qenë edhe në funksion të të gjithë bashkisë Himarë, ku kushdo që dëshiron mund të kalojë kohë cilësore në të.
I pranishëm ishte edhe kryetari në detyrë i bashkisë së Himarës, Jorgo Goro, i cili vlerësoi aktivitetin, ndërsa shprehu rëndësinë e organizimit të sa më shumë veprimtarive të tilla për fëmijët në të ardhmen. Në fund të festës të gjithë fëmijët e pranishëm u shpërblyen me dhurata të ndryshme për t’ua bërë edhe më të bukur ditën e dedikuar atyre. Aktivitetet kushtuar fëmijëve kanë vijuar më tej, ku po në ambjentet e "Green Coast" është organizuar Krosi pranveror.
Fëmijët e klasave të ciklit 9-vjeçar të bashkisë së Himarës ju bashkuan entuziastë eventit, duke zgjedhur edhe më të mirët e garës në aktivitetin që synon edukimin me sportin. Në fund u shpërndanë tre çmime për djemtë dhe tre çmime për vajzat, të cilat fituan kompeticionin.
Fëmijët fitues u shpërblyen me nga një libër dhuratë dhe me medaljen përkatëse me logon e Green Coast, që ishte mikpritësi i gjithë aktiviteteve të organizuara përgjatë ditëve të para të qershorit.