Art, kulturë dhe spektakël. Rubrika “Ciceron”, ju njeh me aktivitetet që mund të ndiqni sot dhe nesër në Tiranë dhe disa qytete të vendit.
1. 18 VJETORI I PARKUT KOMBËTAR “SHEBENIK” FUSHË STUDËN
Një ditë festive plot argëtim, traditë dhe kujtime të paharrueshme në natyrë mund ta kaloni nesër në Parkun Kombëtar “Shebenik” Fushë Studën në 18-vjetorin e shpalljes së tij park kombëtar. Të pranishmit do të festojnë mes tingujve të muzikës, aromës dhe shijes së gatimeve tradicionale të zonës, të cilat do të jenë pjesë e panairit.
2. 10 VJET “NËN RE”, PËRVJETORI I FESTIVALIT TË ARTIT NË TIRANË
Festivali i Resë shënon 10 vjetorin e tij. Ai do të mbahet nga 20 deri në 31 maj. Një trupë ndërkombëtare artistësh mblidhet në Tiranë për një përvjetor që ndërthur kërcimin bashkëkohor, koncertet narrative dhe orkestrat festive!
3. “HYJI”, SHFAQJA NGA EUGENE O’NEILL NË TEATRIN “BYLIS”
“Hyji” është shfaqja nga Eugene O’Neill, që do të vijë në skenën e teatrit “Bylis” në Fier sot e nesër, në 20 e në 21 maj në orën 19:00 nën interpretimin e Dritan Boriçit dhe Johan Mezinit.
4. ÇELET FESTIVALI TEATROR I SHKOLLAVE TË TIRANËS “TK RIN ART”
Festivali teatror i shkollave të Tiranës “TK Rin Art 2026” mbërrin në edicionin e tij të nëntë. Ai çelet sot në orën 13:00 me shfaqjen “Kumarxhiu” nga gjimnazi “Petro Nini Luarasi”, ndërsa do të vijojë deri më 5 qershor.
5. “FLAS SHQIP”, FESTIVALI I MONODRAMËS NË NATËN E DYTË
Festivali i Monodramës “Flas Shqip” vijon sonte me “Post-Festival” në Sarandë, ku do të mbahet një takim poetik në memorje të artistit Naun Shundi.
Komente











