Art, kulturë dhe spektakël. Rubrika “Ciceron”, ju njeh me aktivitetet që mund të ndiqni sot dhe nesër në Tiranë dhe disa qytete të vendit.

1. “BALKAN FILM MARKET” SONTE NË EDICIONIN E NËNTË NË TIRANË

“Balkan Film Market 2025” vjen sot në orën 18:00 në edicionin e tij të nëntë. Profesionistë të kinemasë nga vende të ndryshme të Ballkanit dhe Evropës shkëmbejnë përvoja dhe krijojnë raporte profesionale në një prej ngjarjeve më të rëndësishme në fushën audiovizuale.

2. “RRUGËTIM I ËNDËRRT”, 50-VJETORI ANIMACIONIT SHQIPTAR

“Rrugëtim i ëndërrt” është aktiviteti, që do të celebrojë krijimtarinë 50-vjeçare të animacionit shqiptar. Aktiviteti do të çelet sot në orën 19:00 në kinema “Millenium”. Përgjatë tre ditëve do të shfaqen filma në kinema “Drita”, “Agimi”, “Maks Velo”, në “Tirana Moon”, në Universitetin e Arteve dhe parkun “Rinia”.

3. OLBANIA/ “ALTERAZIONI VIDEO”, EKSPOZITË NË MUZEUN MARUBI

Ekspozita ‘Olbania’ nga kolektivi “Alterazioni Video” do të çelet sot në orën 18:00 te Muzeu “Marubi” në Shkodër. “Alterazioni Video” është një kolektiv i krijuar në vitin 2004 nga artistët Paololuca Barbieri Marchi, Alberto Caffarelli, Matteo Erenbourg, Andrea Masu dhe Giacomo Porfiri. Ata jetojnë mes Nju Jorkut, Berlinit, Palermos, Gjenovës dhe Aljezurit në Portugali.

4. SHFAQJE CIRKU DHE AKTIVITETE FESTIVE NË GJIROKASTËR

Në Gjirokastër, mbahen një sërë aktivitetesh festive. Sot, në kinemanë e qytetit mund të ndiqni koncertin instrumental të fëmijëve të Qendrës Kulturore “Fato Berberi”, “Tingujt e festave”.

5. BLEDAR GRAMO ME “XXXVI” TE GALERIA “GOCAT” TE PIRAMIDA

Ekspozita “XXXVI” nga Bledar Gramo vjen nesër në orën 18:00 te galeria “Gocat” te Piramida. Ekspozita mbyll kalendarin artistik të kësaj galerie për vitin 2025.

6. SHFAQJA “FAUSTI” RIVJEN NË SKENËN E TEATRIT KOMBËTAR

“Fausti” rikthehet në skenën e Teatrit Kombëtar pranë ArTurbinës nga 17- 21 dhjetor në orën 20:00.

7. “MURGU I MALIT TË SHENJTË”, TAKIM ME LUAN RAMËN TE “ALBAS”

Mbrëmjen e nesërme në orën 18:00 në librarinë “Albas” në Tiranë mbahet një takim me autorin Luan Rama për librin “Murgu i malit të shenjtë”.

8. NDEZJA E DRITAVE TË PEMËS NË DURRËS, KONCERT FESTIV

Koncert festiv “Ndezja e dritave të pemës” do të mbahet nesër, më 17 dhjetor, në orën 17:00 te Amfitetatri i Durrësit.

9. DISKUTIM PËR FILMIN “VITET E PARA” NË ARKIVIN E FILMIT

Në Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit, nesër në orën 11:00 mund të bëheni pjesë e diskutimit për filmin “Vitet e para” nga Klubi i Filmit “Mësojmë nga e kaluara”.

10. “PËRTEJ HESHTJES”, EKSPOZITA E BOGUT NË SEFERAN TË BELSHIT

“Përtej heshtjes” është ekspozita nga Liridona Gjuka Bogu, e kuruar nga Helidon Haliti, që po vijon të qëndrojë e çelur në galerinë “2BOTË” në Seferan të Belshit.