Art, kulturë dhe spektakël. Rubrika “Ciceron”, ju njeh me aktivitetet që mund të ndiqni sot dhe nesër në Tiranë dhe disa qytete të vendit.

1.“BALKAN JAZZ SHOWCASE” VJEN NË EDICIONIN E 6-TË NË TIRANË

“Balkan Jazz Showcase” rikthehet në Tiranë me një program të pasur dhe artistë nga Shqipëria dhe skena ndërkombëtare e jazz-it. Ai do të fillojë më 16 prill në orën 19:30 në sallën “Avni Mula” të shkollës së muzikës “Servete Maçi” në Tiranë për të vijuar deri më 19 prill.

2. “KËRDIA”, KOMEDIA E ZEZË SHFAQET PREMIERË NË GJIROKASTËR

“Kërdia” është pjesa teatrore, që do të shfaqet premierë në teatrin “Zihni Sako” në Gjirokastër më 16 prill në orën 19:00. Me regji nga Shkëlzen Berisha, komedia “Kërdi” vjen si një pasqyrë komike e jetëve “të ujdisura”, ku kostumi i shtrenjtë nuk e fsheh dot sjelljen kafshërore. Një komedi e zezë që na kujton se sa afër xhunglës jemi, edhe kur rrimë në sallone moderne, shfaqja do të vijojë deri më 19 prill.

3. “ZORBA-THE GREEK”, MUZIKA E THEODORAKIS NË SKENËN E TKOB

“Zorba -The Greek”, një koncert me muzikën e kompozitorit të njohur grek Mikis Theodorakis, vjen premierë në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit mbrëmjen e nesërme në orën 20:00.

I konceptuar si një udhëtim përmes cikleve më të njohura të krijimtarisë së Theodorakis, koncerti sjell pjesë nga ciklet “Axion Esti”, “Epitafios”, “Epifania”, “Ta Lyrika” dhe vepra të tjera, të mbështetura mbi poezinë e poetëve të mëdhenj grekë si Odysseas Elytis, Yannis Ritsos, Tasos Livaditis e të tjerë. Shfaqja vjen nën interpretimin e baritonit solist Artur Vera dhe pianistes Etrita Ibrahimi, me praninë e veçantë të instrumentit simbol të muzikës greke, buzukut, interpretuar nga Panagiotis Lympanovnos, si dhe me interpretimin e poezive nga aktori Xhuliano Brisku.

4. “BABAI” RIKTHEHET NË SKENËN E TEATRIT “KUJTIM SPAHIVOGLI”

 “Babai” rikthehet në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” pranë ArTurbinës në Tiranë më 16 deri më 19 prill në orën 20:00. Me autor Florian Zeller, përkthim nga Adriana Tolka e regji nga Erson Zymberi, interpretojnë aktorët Viktor Zhusti, Egla Ceno, Pjerin Vlashi, Linda Jarani e Adriana Tolka.

5. SHFAQJA “FAUSTI” RIVJEN NË SKENËN E TEATRIT KOMBËTAR

“Fausti” rivjen në skenën e Teatrit Kombëtar pranë ArTurbinës nga 16-19 prill në orën 20:00.