Art, kulturë dhe spektakël. Rubrika “Ciceron”, ju njeh me aktivitetet që mund të ndiqni sot dhe nesër në Tiranë dhe disa qytete të vendit.
1.“MISA A BUENOS AIRES” NGA VIKENA KAMENICA NË SKENËN E TKOB
“Misa a Buenos Aires”, vepra e jashtëzakonshme e Martín Palmeri-t vjen në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit më 24 dhe 25 prill në orën 20:00 si një bashkim unik i muzikës sakrale me ritmet pasionante të tangos argjentinase. Shfaqja është një produksion nën firmën regjisoriale dhe interpretimin e mezzosopranos së teatrit, Vikena Kamenica, e cila së bashku me Trupën e Baletit sjell ritmet e tangos përmes koreografisë së Enada Hoxhës, Orkestra Simfonike e TKOBAP-së, nën dirigjimin e Sergio Alapont, në bashkëpunim me Korin e Filharmonisë së Kosovës, nën drejtimin e Hajrullah Sylës.
2. “BEETHOVEN TIRANA”, KONCERT SIMFONIK NGA ORKESTRA E RTSH-SË
Më 24 prill në orën 19:00, në Qendrën Kulturore të Katedrales Ortodokse mund të ndiqni “Beethoven Tirana”, një mbrëmje simfonike nga Orkestra Simfonike e RTSH-së. Për të pranishmit do të vijë: Simfonia Nr. 6, Op. 60 “Pastorale” nga Ludëig van Beethoven, Koncert për violonçel në Do maxhor, Nr. 1 e Joseph Haydn. Solist është violonçelisti Igert Zeqiri ndërsa dirigjent Facundo Agudin.
3 .KONCERT I ORKESTRËS SË HARQEVE NË UNIVERSITETIN E ARTEVE
Mbrëmjen e kësaj të enjteje në orën 19:00 në Sallën e Koncerteve të Universitetit të Arteve në Tiranë do të vijë një koncert i Orkestrës së Harqeve të UART. Në program përfshihen disa nga veprat më të njohura të Bach, Vivaldi, Paganini, Grieg, Albinoni, Sibelius e Bela Bartok.
4. “RIKTHIM NË LICE”, KONCERT I TRE ARTISTËVE TE “TONIN HARAPI”
“Rikthim në lice” quhet mbrëmja muzikore, që do të mbahet këtë të enjte në orën 19:00 në Liceun Artistik. Pianisti Kostandin Tashko, violinisti Dejon Bendaj dhe violonçelisti Enea Nushi do të interpretojnë kryevepra nga Shostakovich dhe Rachmaninoff.
5 KOMEDIA “SKANDALI”, PREMIERË NË TEATRIN “METROPOL” NË TIRANË
“Skandali” është shfaqja me regji nga Sonila Kapidani, që do të vijë premierë mbrëmjen e së enjtes në orën 20:00 në teatrin “Metropol”. Shfaqja është një komedi absurde mbi marrëdhëniet e sotme, ku familja dhe lidhja burrë e grua janë në ndryshim.
6.“SI NE TË DY”, KOMEDIA E ZEZË, SHFAQJE NË TEATRIN KOMBËTAR
“Si ne të dy” është komedia e zezë me regji nga Violeta Trebicka, që do të vijojë të shfaqet edhe këtë mbrëmje dhe të premten në orën 20:00 në skenën e Teatrit Kombëtar pranë ArTurbinës. Shfaqja ka në qendër një çift, i cili përballet me shpërbërjen e martesës së tyre, interpretuar nga aktorët Luiza Xhuvani dhe Alfred Trebicka.
Komente











