Art, kulturë dhe spektakël. Në vijim, rubrika “Ciceron”, ju njeh me aktivitetet që mund të ndiqni sot dhe nesër në Tiranë dhe disa qytete të vendit.
1. “Dorëshkrime të panjohura dhe letërkëmbime të Kadaresë” ekspozohen për disa ditë te “Shtëpia Studio Kadare” në Tiranë. Ekspozita çelet këtë të martë më 7 janar në orën 17:30 dhe bën publike dorëshkrime të Kadaresë dhe letërkëmbime të shkrimtarit me personalitete të letërsisë dhe editorisë botërore.
2. “Dyzet Rregullat e Dashurisë“ nga Elif Shafak është libri për të cilin do të diskutohet më 7 Janar, ora 18:30 në ambientet e Qendrës DUA në Kamëz.
“Dyzet Rregullat e Dashurisë” nga Elif Shafak është një roman që ndërthur historinë e poetit sufist Rumi dhe miqësisë së tij me Shams Tabrizin me jetën moderne të Ella-s, një grua që gjen kuptimin e dashurisë përmes rregullave sufiste. Libri eksploron dashurinë si forcë transformuese për shpirtin dhe jetën.
3. Mjeshtri i artit figurativ Roland Karanxha vjen me një ekspozitë te Galeria “Guri Madhi” në Korçë prej kësaj të hëne e deri më 30 janar. Ekspozita do të qëndrojë e çelur çdo ditë gjatë kësaj periudhe nga ora 10:00-17:00.
4. Nëse ju pëlqejnë përvojat VR do të mund të përjetoni disa të tilla në KubFranceTirana.
“Notre-Dame i përjetshëm” (Eternelle Notre-Dame) dhe “Perandori” (Emperor) vijnë çdo ditë për të interesuarit deri më 12 janar prej orës 11:00 - 20:00.