Art, kulturë dhe spektakël. Rubrika “Ciceron”, ju njeh me aktivitetet që mund të ndiqni sot dhe nesër në Tiranë dhe disa qytete të vendit.

1.“FAMILJA ADAMS”, PERFORMANCË FËMIJËSH TE TEATRI I KUKULLAVE

 “Familja Adams” është performanca që do të vijë te Teatri i Kukullave më 13 e 14 shkurt në orën 19:00.

2. “KËRCIMI I DASHURISË”, GARA KOMBËTARE E KËRCIMIT PËR TË RINJ

Gara kombëtare e kërcimit për të rinj, “Kërcimi i dashurisë” vjen në edicionin e dhjetë te teatri “Bylis” në Fier. Mbrëmjen e nesërme do të zhvillohet gjysmëfinalja e kësaj gare. Më 14 shkurt në orën 17:00 vjen finalja e saj në një spektakël, ku energjia, talenti dhe emocionet bashkohen në një natë.

3. “BABAI” I FLORIAN ZELLER RIKTHEHET TE TEATRI EKSPERIMENTAL

Shfaqja “Babai” nga Florian Zeller rikthehet në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” për katër net, duke filluar nga mbrëmja e sotme, çdo natë, në orën 20:00.

4. “TINGUJ E NDJENJA”, KONCERT I ORKESTRËS FRYMORE NË DURRËS

“Tinguj e Ndjenja” është koncerti i Orkestrës Frymore me drejtues orkestre Saimir Kalaja dhe drejtuese artistike Olta Juba, që do të vijë nesër në orën 18:00 te Salla e koncerteve e Qendrës Kulturore të Fëmijëve në Durrës.

5. “STAND-UP COMEDY” ME EDI OGËN NË TEATRIN “PETRO MARKO”

Mbrëmjen e nesërme në orën 19.00 në teatrin “Petro Marko” në Vlorë mund të ndiqni Stand-Up Comedy me Edi Oga, “O sa mirë me qen shqiptar”.

6. “PLEN AIR 11”, EKSPOZITA E 15 PIKTORËVE NË GALERI NË SHKODËR

“Plen Air 11” është ekspozita me mbi 50 vepra në pikturë të 15 artistëve, që vijon  të qëndrojë e hapur në Galerinë e Arteve në Shkodër.

7. “SI TA DONI”, SHFAQJA ME REGJI TË JOHN BLONDELL, KTHIM NË TK

“Si ta doni” është shfaqja e William Shakespeare me regjisor John Blondell, që rikthehet në skenën e Teatrit Kombëtar mbrëmjen e sotme dhe vijon edhe më 13, 14 e 15 shkurt në orën 20:00.

8. “1MATERIAL”, EKSPOZITË E STUDENTËVE TË QERAMIKËS TE “FAB”

Ekspozita studentore e Programit të Qeramikës “1Material” vijon të qëndrojë e hapur te Galeria FAB e  Universitetit të Arteve.

9. “POST BLLOK”, EKSPOZITA E PESË ARTISTËVE BASHKËKOHORË

“Post Bllok” është ekspozita nga pesë artistë bashkëkohorë e çelur në “Bazament Art Space” në Tiranë. Fotografitë, fijet, dylli, letra e punuar me dorë dhe objektet e gjetura funksionojnë si gjurmë fizike të historisë dhe si forma për ta rishkruar atë.

10.“IMAGES FROM ASIA” NË GALERINË “NIKOLET VASIA” NË DURRËS

Një udhëtim vizual mes kulturave, ngjyrave dhe historive njerëzore të Azisë, përmes objektivit të fotografit Massimo Saretta vijon të qëndrojë e hapur në Galerinë e Artit Pamor “Nikolet Vasia” në Durrës.