Art, kulturë dhe spektakël. Rubrika “Ciceron”, ju njeh me aktivitetet që mund të ndiqni sot dhe nesër në Tiranë dhe disa qytete të vendit.
1.“FESTË NË SOKAK”, PESË DITË TRADITË E SHIJE NË GJIROKASTËR
Nga muzika te artizanati, nga shijet lokale te atmosfera e Pazarit, “Festë në Sokak” mbahet në Gjirokastër prej ditës së sotme deri në 23 maj. Për pesë ditë, qyteti do të mbushet me përvoja kulturore, ritme tradicionale, punëtori artizanale dhe shije të zonës.
2. PERFORMANCA MULTIDISIPLINARE, SHFAQJE NË SALLËN E LICEUT
Një nga projektet më të veçanta multidisiplinare që ndërthur artin pamor, performancën skenike dhe muzikën live në një rrëfim të pazakontë njerëzor, “Të shëmtuar, të deformuar, depresivë dhe të kompleksuar” do të vijë sot në orën 19:00 në sallën “Tonin Harapi” të Liceut Artistik “Jordan Misja” në Tiranë. Performanca vjen si një projekt artistik që zhvesh nga miti figurat e mëdha të artit evropian, për të zbuluar anën e tyre më të brishtë, më të ndjerë dhe më njerëzore.
Përmes imazheve, interpretimit skenik dhe tingujve të violonçelit live, vepra fton publikun të reflektojë mbi pasiguritë, dhimbjet dhe kompleksitetin emocional që shpesh fshihet pas gjenialitetit artistik. Narracioni vjen nën interpretimin aktorial të Nea Tandinit dhe muzikës së interpretuar live nga violonçelisti Mario Guralumi.
3. “HYJI”, SHFAQJA NGA EUGENE O’NEILL NË TEATRIN “BYLIS”
“Hyji” është shfaqja nga Eugene O’Neill, që do të vijë në skenën e teatrit “Bylis” në Fier në 20 e në 21 maj në orën 19:00 nën interpretimin e Dritan Boriçit dhe Johan Mezinit.
4. ÇELET FESTIVALI TEATROR I SHKOLLAVE TË TIRANËS “TK RIN ART”
Festivali teatror i shkollave të Tiranës “TK Rin Art 2026” mbërrin në edicionin e tij të nëntë. Ai do të çelet nesër në orën 13:00 me shfaqjen “Kumarxhiu” nga gjimnazi “Petro Nini Luarasi”, ndërsa do të vijojë deri më 5 qershor.
5. “FLAS SHQIP”, FESTIVALI I MONODRAMËS NË NATËN E DYTË
Festivali i Monodramës “Flas Shqip” vijon sonte në orën 20:00 në Teatrin Eksperimental “Kujtim Spahivogli” pranë ArTurbinës në Tiranë me shfaqjen “Qeni” nga Naun Shundi dhe me interpretim nga Marjeta Ljarja.
6. “IDENTITETE NË TRANZICION”, EKSPOZITË NGA ERMAL MBRAKULLI
“Identitete në Tranzicion” është ekspozita nga piktori Ermal Mbrakulli, që vijon të qëndrojë e çelur në galerinë e arteve “Edward Lear” në Berat.
Komente











