Art, kulturë dhe spektakël. Rubrika “Ciceron”, ju njeh me aktivitetet që mund të ndiqni sot dhe nesër në Tiranë dhe disa qytete të vendit.

1.FESTIVALI KOMBËTAR I FILMIT SHQIPTAR NË EDICIONIN E 14-TË

Festivali Kombëtar i Filmit Shqiptar kthehet në edicionin e tij të 14-të në festën më të madhe të kinemasë shqiptare nga mbrëmja e nesërme deri më 12 shtator në Tiranë. Për dhjetë ditë, ekrani do të bëhet sërish vendi ku rrëfehen histori, lindin emocione dhe nderohen zërat që shkruajnë të ardhmen e filmit shqiptar.

2.JAVËT KULTURORE NDËRKOMBËTARE/ JAVA E MAQEDONISË SË VERIUT

Nga 3-6 shtator 2026, në Tiranë, Durrës e Korçë mbahen një sërë aktivitetesh në kuadër të Javës Kulturore të Maqedonisë së Veriut. Përmes muzikës tradicionale, folklorit, poezisë dhe artit pamor publiku do të ketë mundësinë të zbulojë një kulturë të pasur, ku traditat e vjetra bashkëjetojnë me shprehjet moderne të artit.

3. EKSPOZITA ME FILMA TË SHKURTËR TË ANIMUAR NGA FËMIJËT

“Na ishte në ekran” (Once Upon a Time on Screen) është ekspozita që do të çelet sot në orën 18:00 në galerinë “Zeta” në Tiranë. Në të paraqiten një seri filmash të shkurtër të animuar të krijuar nga fëmijë të moshës 9–12 vjeç. Punimet janë rezultat i një uorkshop-i të udhëhequr nga mentorja Redina Qose.

4.“VALART FEST” NË HIMARË, PESË NET ME MUZIKË, FILM DHE ART

Vijon të mbahet deri më 5 shtator, Himara mirëpret “ValArt Mediterranean Fest”, një festival ndërdisiplinor që sjell muzikë, film dhe art bashkëkohor në Pedonalen e Spillesë.

5. EKSPOZITA ME FOTOGRAFI “PËR QYTETIN DHE TREGIME TË TJERA”

“Për qytetin dhe tregime të tjera” është ekspozita kolektive që vijon të qëndrojë e çelur në hapësirën “1e60” në Tiranë. Përmes fotografisë 35mm, procesit të zhvillimit të filmit bardhezi, printimit në dhomën e errët dhe diskutimeve në grup, pjesëmarrësit kanë eksploruar mënyrat e vëzhgimit dhe dokumentimit të jetës së përditshme. Në të prezantohen punët e krijuara nga pjesëmarrësit e një ëorkshop-i katërjavor të fotografisë analoge. Punimet trajtojnë tema si identiteti, vendi, kujtesa dhe komuniteti. Në projekt kanë marrë pjesë Abel Meta, Alkid Shuli, Ana Këlliçi, Ema Allaraj, Felisia Mane, Klea Mimani dhe Sibora Agasi.

6. “OKTOBERFEST BEER”, ATMOSFERË FESTIVE DHE MUZIKË NË KAVAJË

Tradita bavareze vjen për herë të parë në “Oktoberfest”, që do të mbahet sot nga ora 17:00 deri në 22:00, në Shëtitoren e Re në Kavajë. Mbrëmja do të shoqërohet me muzikë live, ushqim tradicional dhe atmosferë festive, ndërsa pjesë e programit do të jetë edhe një orkestër tradicionale bavareze, “Blasmusik”. Në aktivitet do të performojnë gjithashtu Urban Band dhe Lazar Daka, duke krijuar një ndërthurje mes kulturës bavareze dhe asaj shqiptare.

6. “KOKO FEST”, 10 SHFAQJE NË FESTIVALIN E TEATRIT NË KORÇË

Festivali i teatrit “Koko Fest” vijon të mbahet në Korçë. Ai do të vazhdojë deri më 6 shtator.