Art, kulturë dhe spektakël. Rubrika “Ciceron”, ju njeh me aktivitetet që mund të ndiqni sot dhe nesër në Tiranë dhe disa qytete të vendit.
1. EKSPOZITË PËR FUSTANELLËN NË MUZEUN ETNOGRAFIK NË BERAT
“Fustanella” është ekspozita kushtuar një prej simboleve më përfaqësuese të trashëgimisë sonë kulturore, që do të çelet në Muzeun Etnografik të Beratit nga Qendra Kombëtare e Veprimtarive Tradicionale, nesër në orën 11:30. Në të do të ekspozohen vizatimet dhe ilustrimet e artistit Fatos Sojati që sjellin në vëmendje historinë, shtrirjen dhe vlerat kulturore të fustanellës në trojet shqiptare.
2. PUNËTORIA KREATIVE “POP-UP BOOKS” NË MUZEUN “MARUBI” TË SHKODRËS
Punëtoria kreative “Pop-up Books”, një aktivitet edukativ që fton fëmijët dhe të rinjtë të zbulojnë botën e librave tredimensionalë do të mbahet nesër nga ora 10:00 deri në 12:00 në Muzeun Kombëtar të Fotografisë “Marubi” në Shkodër.
Pjesëmarrësit do të mësojnë teknikat bazë të palosjes, prerjes dhe ngjitjes për të krijuar faqe dhe mini-libra pop-up, të frymëzuar nga fotografitë e Arkivit Marubi. Përmes këtij procesi krijues, ata do të eksplorojnë lidhjen mes fotografisë, hapësirës dhe narracionit vizual, duke zhvilluar imagjinatën dhe aftësitë artistike. Aktiviteti është i hapur për 15 pjesëmarrës mbi moshën 9 vjeç.
3. FESTIVALI NDËRKOMBËTAR I MUZIKËS FOLKLORIKE NË TIRANË
Në Teatrin e Hapur “Mirush Kabashi” pranë Liqenit Artificial të Tiranës vijon të mbahet Festivali Ndërkombëtar i Muzikës Folklorike në Tiranë (International Folk Festival Tirana 2026), ku grupe folklorike nga vende të ndryshme të botës do të sjellin në skenë muzikën, vallet dhe kostumet tradicionale.
4. BASHKËBISEDIM ME MAJLINDA KELEMENDIN TE GALERIA “ODA”
Në Galerinë “Oda” në Shkodër, nesër në orën 19:30 do të organizohet një prezantim publik dhe bashkëbisedim me artisten vizuale Majlinda Kelmendi, e cila do të prezantojë hulumtimin e saj artistik të realizuar në kuadër të programit “Culture Moves Europe”.
5. DRAMA “PALLTOJA”, LEXIM SKENIK TE MUZEU ETNOGRAFIK NË DURRËS
Një lexim skenik i dramës me një akt "Palltoja", me tekst të Ilir Pajës dhe ne nterpretim nga aktorët Xhejni Fama, Jaho Guma dhe Alesia Xhemalaj dhe me kurim artistik nga Andia Xhunga do të vijë sonte në orën 19:00 në Muzeun Etnografik të Durrësit.
6. “FREQUENZA LIBRARIA”, MUZIKË E ART TE “N'DRITËRO” NË TIRANË
“Frequenza Libraria”, një mbrëmje që bashkon muzikën klasike me artin bashkëkohor do të organizohet sot në orën 19:30 te libraria “N’Dritëro” në Tiranë. Programi nis me një interpretim nga një kuartet me harqe dhe vijon me një set tangoje elektronike nga Mr. Interface, duke krijuar një ndërthurje mes muzikës, librave dhe arteve vizuale.
Komente











