Art, kulturë dhe spektakël. Rubrika “Ciceron”, ju njeh me aktivitetet që mund të ndiqni sot dhe nesër në Tiranë dhe disa qytete të vendit.

1. “SUNRISE: A SONG OF TWO HUMANS”, MUZIKË DHE FILM TE ARTET

“Sunrise”, filmi i mrekullueshëm pa zë, shoqëruar me muzikë live nga mjeshtri i shoqërimit muzikor, Stephen Horne do shfaqet sonte në orën 19.00 në sallën “Çesk Zadeja” të Universitetit të Arteve. Kino-koncerti “Sunrise: A song of tëo humans” sjell një përvojë të veçantë të filmit dhe muzikës.

2. “DUET” NGA MANUELA GARCÍA E FANI ZGURO TE GALERIA E TIRANËS

“Duet” nga Manuela García e Fani Zguro, do të mbahet nesër në orën 18.00 te Galeria e Artit Tiranë. Në këtë edicion, artistët sjellin për publikun shqiptar një perspektivë të freskët e shumëdimensionale përmes krijimeve të tyre multimediale, që në thelb kanë konceptualizimin e identitetit dhe kulturave përkatëse.

3. 100-VJETORI I LINDJES SË DARIO FO, SHFAQJE NË TEATRIN E VLORËS

Në përkujtim të 100-vjetorit të lindjes së Dario Fo dhe 800-vjetorit të vdekjes së San Francesco d’Assisi, Instituti Italian i Kulturës prezanton monologun “Lu Santo Jullare Francesco” shkruar nga Dario Fo dhe Franca Rame, të interpretuar nga Mario Pirovano, sot, në orën 19:00 në teatrin “Petro Marko” në Vlorë.

4. “GJYSMË-JETA E MARIE CURIE” TE TEATRI I METROPOLIT NË TIRANË

Shfaqja “Gjysmë-jeta e Marie Curie” rikthehet në skenën e teatrit “Metropol” më 26, 27, 28 shkurt e 1 mars në orën 19:00. Shfaqja nën interpretimin e Yllka Mujos dhe Armela Demajt rrëfen historinë e forcës dhe rezistencës së dy shkencëtareve të jashtëzakonshme, Marie Curie dhe Hertha Ayrton, të cilat ndanë një miqësi të thellë dhe pasionin për shkencën.

5.  “DJALI” ME REGJI TË FATOS BERISHËS, RIKTHIM TE TKEKS

Shfaqja “Djali” nga Florian Zeller dhe me regji të Fatos Berishës rikthehet në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” në Tiranë nga 26 shkurt deri më 1 mars në orën 20:00.

6. “17 SHKURTI” ME PUNË TË PEDAGOGËVE TË PRISHTINËS E TIRANËS

Ekspozita “17 shkurti” vijon të qëndrojë e çelur te Galeria FAB në Tiranë. Në të ekspozohen punime të zgjedhura nga Stafi pedagogjik i Fakultetit të Arteve në Prishtinë dhe Fakulteti i Arteve të Bukura në Tiranë.

7. EKSPOZITA FOTOGRAFIKE NË GALERINË E ARTEVE TË VLORËS

“Vlora” është ekspozita fotografike nga Altin Serani e çelur në Galerinë e Arteve në Vlorë. Ajo do të qëndrojë e hapur deri më 28 shkurt.