Art, kulturë dhe spektakël. Rubrika “Ciceron”, ju njeh me aktivitetet që mund të ndiqni sot dhe nesër në Tiranë dhe disa qytete të vendit.
1.OPERETA E FAMSHME E JOHANN STRAUSS NË SKENËN E TKOB-IT
“Lakuriqi i natës” (Die Fledermaus), opereta komike e Johann Strauss II, vjen në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, me humor, intriga dhe ritmet magjepsëse të valsit vjenez. Ajo do të ngjitet në skenë më 25, 26 e 27 shtator në orën 20:00.
2. “JEHONAT E LINDJES”, KONCERT I XHAZIT KINEZ NGA “XU QUINTET”
“Xu Quintet”, një formacion i njohur i jazz-it kinez dhe ndërkombëtar, i cili ndërthur elemente të muzikës tradicionale kineze me jazz-in bashkëkohor do të vijë në një koncert mbrëmjen e nesërme në orën 19:00 në sallën e koncerteve “Tonin Harapi” në Tiranë. Koncerti është pjesë e Festivalit Ndërkombëtar të Xhazit (International Jazz Festival) në Shqipëri.
3. FOTOGRAFIA/“TIRANA PHOTO FESTIVAL” VJEN NË EDICIONIN E NËNTË
Edicioni i 9-të i “Tirana Photo Festival” do të zhvillohet më 25–30 shtator te Instalacioni “Reja” në Tiranë. Këto do të jenë ditë kushtuar fotografisë, artit dhe rrëfimit përmes imazhit, me ekspozitën me 100 fotografi single, ekspozita të përzgjedhura me seri fotografike, uorkshope dhe foto-ture.
4. “MUZG NË KOPSHTIN E QERSHIVE”, PREMIERË NË TEATRIN KOMBËTAR
Në Teatrin Kombëtar do të vijojë të shfaqet edhe sonte dhe nesër “Muzg në kopshtin e qershive”, me përshtatje dhe regji nga Driada Dervishi. Në rolin kryesor ngjitet në skenë aktorja e njohur Luiza Xhuvani.
5. KOMEDIA “E ZONJA E BUJTINËS”, PREMIERË NË TEATRIN “BYLIS”
“E zonja e bujtinës”, komedia e Carlo Goldonit, një nga veprat e tij më të njohura, vjen premierë sonte në orën 19:00 në skenën e teatrit “Bylis”, nën regjinë e Kiço Londos. Shfaqja do të vijojë edhe më 25 dhe 26 shtator.
6. “BIG BABY” VIJON SHFAQJET NË TEATRIN KOMBËTAR EKSPERIMENTAL
“Big Baby” do të vijojë të shfaqet në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” në Tiranë nga 24-27 shtator, çdo mbrëmje në orën 20:00. Me autori Frank Moher, shfaqja vjen nën regjinë e Endri Çelës.












Komente
Komento