Art, kulturë dhe spektakël. Rubrika “Ciceron”, ju njeh me aktivitetet që mund të ndiqni sot dhe nesër në Tiranë dhe disa qytete të vendit.

1. “NETËT E BEJKËS SË BARDHË”, FESTIVALI FOLKLORIK NË PILUR

Në Pilur zhvillohet Festivali Folklorik “Netët e Bejkës së Bardhë”. Aktiviteti nis sonte në orën 18:00 dhe do të vijojë edhe më 12 shtator. Ai i kushtohet traditës folklorike, këngës dhe trashëgimisë kulturore të zonës.

3. “JAL JAM FEST” NË JALË, DY NETË FESTIME ME MUZIKË E ARGËTIM

Në Jalë zhvillohet “Jal Jam Fest”, festival që sjell muzikën dhe atmosferën e festivalit në bregdet. Aktiviteti do të nisë sonte në orën 18:00 dhe vijon edhe nesër, më 12 shtator.

3. “TAKIME TRANSFORMATIVE” NË “ART HOUSE” E KONCERT NË SHKODËR

“Takime Transformative” (Transformative Encounters) është aktiviteti që do të mbahet nga 10-16 shtator, prej orës 19:00 në “Shkodra Art House”, duke u bërë pjesë e programit kulturor të kësaj hapësire artistike në qytetin verior. Ndërkohë, më 12 dhe 13 shtator, në orën 18:00, në sheshin para Bashkisë së Shkodrës zhvillohet edhe “Shpresa Fest” me këngëtarët Mateus Frroku dhe “Urban Band”.

4. “ILUZIONI I CIRKUT”, VJEN SHFAQJA NË TEATRIN E KUKULLAVE

“Iluzioni i Cirkut”, një shfaqje repertori për fëmijë dhe familje do të vijë nga Cirku Kombëtar më 12 dhe 13 shtator, në orën 17:00, te Teatri i Kukullave në Tiranë. Shfaqja sjell akrobaci, ekuilibër, kllounatë, iluzione dhe zhonglerim.

5. “FESTA E ROSHNIKUT”/ TRADITË, MUZIKË E VLERA LOKALE NË BERAT

Në Berat duke filluar prej orës 17:00 të ditës së sotme do të mbahet “Festa e Roshnikut”, një aktivitet që ndërthur traditën, kulturën dhe promovimin e vlerave lokale.

6. “MUSIC FACTOR TIRANA”, KONCERT I MUZIKËS ELEKTRONIKE NË SAUK

“Music Factor Tirana”, është aktiviteti që do të mbahet në Tiranë këtë të premte, prej orës 22:00 deri në orën 6:30 të mëngjesit të së shtunës te Lapidari në Sauk. Eventi synon të sjellë atmosferën e rave-it underground në një prej hapësirave karakteristike të Saukut, duke ndërthurur muzikën elektronike me një ambient jo-tradicional.

7. “AVENTURAT E WINNIE POOH”, PREMIERË NË TEATRIN E KUKULLAVE

“Aventurat e Winnie Pooh” është premiera e re për fëmijë, që do të vijë në Teatrin e Kukullave në Tiranë më 12 dhe 13 shtator, në oraret 10:30 dhe 11:30.