Art, kulturë dhe spektakël. Rubrika “Ciceron”, ju njeh me aktivitetet që mund të ndiqni sot dhe nesër në Tiranë dhe disa qytete të vendit.
1. LEGJENDA E MUZIKËS ELEKTRONIKE, BLACK COFFEE NË TIRANË
Legjenda e muzikës elektronike, Black Coffee, vjen në Tiranë me një koncert që do ta mbajë mbrëmjen e nesërme në pistën e atletikës në Liqenin Artificial. Fitues i çmimit Grammy dhe një nga emrat më të vlerësuar në skenën ndërkombëtare të muzikës elektronike, Black Coffee njihet për tingullin e tij të thellë, të ngrohtë dhe emocional.
2. GAETANO PESCE, EKSPOZITË NË COD. 10 FILMA NË GJIROKASTËR
Vijon Java Kulturore Italiane në Shqipëri. Sot në orën 17:00 në Qendrën për Hapje dhe Dialog pranë Kryeministrisë çelet ekspozita “Vizatimi i Jetës” nga arkitekti dhe dizajneri i mirënjohur modern italian, Gaetano Pesce. Nesër në orën 19:30 në Gjirokastër do të mbahet aktiviteti “10 corti in giro per il mondo 2025”, që do të prezantojë 10 filma të shkurtër italianë. Sonte në orën 19:30 në teatrin “Petro Marko” në Vlorë do të mbahet një koncert- homazh për Lucio Dalla.
3. UNUM FESTIVAL/ NGJARJA E MUZIKËS ELEKTRONIKE NË SHËNGJIN
Emra të njohur ndërkombëtarisht të muzikës elektronike, si &ME, Ricardo Villalobos, Ben Klock dhe të tjerë do të jenë pjesë e UNUM Festival, që mbahet nga 4 deri më 8 qershor në bregdetin e Shëngjinit. Risia për vitin 2026 është një skenë e katërt sekrete, me performanca të paparalajmëruara nga artistë të njohur dhe talente të reja ballkanike, që do të zhvillohet në lokacione të ndryshme brenda festivalit.
4. “NJË HISTORI KAFEJE”, SHFAQJE TE “METROPOL” NË TIRANË
“Një histori kafeje” është shfaqja që do të ngjitet në teatrin “Metropol” në Tiranë mbrëmjen e nesërme në orën 20:00. Një koncert–teatër që ndërthur muzikën baroke, teatrin dhe narracionin skenik, duke sjellë në vëmendje ritualin e kafesë si hapësirë dialogu social
5. FESTIVALI EVROPIAN I FILMIT TË TË RINJVE NË EDICIONIN IV
Edicioni i katërt i Festivalit Evropian të Filmit për të Rinjtë në Tiranë (Tirana European Youth Film Festival) do të çelet nesër në qendrën e artit “Agimi”. Filmi që do të hapë festivalin në orën 21:00 është “Krejt e thirrin Rexhën” me regji nga Ibër Deari.
Komente











