Art, kulturë dhe spektakël. Rubrika “Ciceron”, ju njeh me aktivitetet që mund të ndiqni sot dhe nesër në Tiranë dhe disa qytete të vendit.

1.ORKESTRA SIMFONIKE E RTSH-SË, KONCERT NË AKADEMINË E ARTEVE

Orkestra Simfonike e RTSH sjell për publikun një koncert të veçantë, nesër, në orën 19:00 në Universitetin e Arteve, me kryevepra të repertorit botëror: Giacomo Puçini – La tregenda (nga opera Le Villi), Ottorino Respighi – Valle antike,  George Gershëin – Rhapsody in Blue Johann Sebastian Bach – Chaconne (përshtatur për orkestër). Soliste e mbrëmjes është Ana Kaçinari dhe dirigjent Gridi Kraja.

2.85-VJETORI I FERDINAND DEDËS, KONCERT NGA ORKESTRA E RTSH-SË

Orkestra Simfonike e RTSH-së sjell një mbrëmje të veçantë muzikore në nder të 85-vjetorit të lindjes së kompozitorit dhe dirigjentit Ferdinand Deda. Mbrëmja, e titulluar “Meditim”, do të zhvillohet në sallën “Ferdinand Deda” të RTSH-së, sot në orën 19:00, nën drejtimin e dirigjentit Gridi Kraja, me soliste Merita Rexha Tërshana në piano.

3. 90-VJETORI I BESIM ZEKTHIT, KONCERT NË AKADEMINË E ARTEVE

 “Legjenda e Valles Shqiptare, Besim Zekthi - Nderi Kombit” është koncerti që do të mbahet në Akademinë e Arteve, sot në orën 18:00 në nder të 90-vjetorit të lindjes së Besim Zekthit.

4. I KËNDUARI I GRAVE TË ZADRIMËS, DOKUFIM NGA ROBERT BISHA

“Nuse” është filmi dokumentar nga Robert Bisha, që do të shfaqet sot në orën 18:00 në kinema “Agimi” në Tiranë. Përmes filmit, Bisha eksploron të kënduarin e grave të Zadrimës, ndërsa muzika origjinale është kompozuar nga vetë autori. Pas filmit do të ketë edhe një performancë në skenë nga Bisha dhe gratë e Zadrimës.

5. “LËNGATA... BALLË PËR BALLË”, EKSPOZITË NGA FLOGERT KOLA

“Lëngata… ballë për ballë” është ekspozita nga Flogert Kola. Piktor dhe banor i Laçit, Kola vjen në këtë ekspozitë personale si krijues i këtij ballafaqimi, i kësaj përballjeje mes njeriut-artist sot dhe objekteve-rrënoja të një industrie e trumbetuar si “e lavdishme” dje. Ekspozita do të çelet nesër në orën 11:00 në Pallatin e Kulturës “Kok Malçi” në Laç.

6. “PLEN AIR 11”, EKSPOZITA E 15 PIKTORËVE NË GALERI NË SHKODËR

“Plen Air 11” është ekspozita me mbi 50 vepra në pikturë të 15 artistëve, që do të çelet në Galerinë e Arteve në Shkodër, sot në orën 18:00.

7. “SI TA DONI”, SHFAQJA ME REGJI TË JOHN BLONDELL, KTHIM NË TK

“Si ta doni” është shfaqja e William Shakespeare me regjisor John Blondell, që rikthehet në skenën e Teatrit Kombëtar mbrëmjen e sotme dhe nesër në orën 20:00, ndërsa do të vijojë të shfaqet edhe disa net të tjera në vijim.