Art, kulturë dhe spektakël. Rubrika “Ciceron”, ju njeh me aktivitetet që mund të ndiqni sot dhe nesër në Tiranë dhe disa qytete të vendit.
1.SAGA E BIBLIOTEKËS SË FAIK KONICËS NË JAVËN AMERIKANE
A e dini historinë e bibliotekës së Faik Konicës, si humbi dhe si u rikthye një pjesë e saj në Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë? Këtë mund ta mësoni nesër në aktivitetin e që do të mbahet në qendrën “Sotir Kolea” të Bibliotekës Kombëtare në orën 11:00. “Saga e bibliotekës së humbur të Faik Konicës”, një ligjëratë nga studiuesi Agron Alibali vjen në kuadër të Javës Kulturore Amerikane, duke sjellë në qendër Konicën, një figurë që lidhi Shqipërinë me Amerikën si askush tjetër.
2. LICEU ARTISTIK/ EKSPOZITË NË KUJTIM TË PIKTORIT HERMON MADHI
Një mbrëmje përkujtimore dhe artistike në kujtim të piktorit Hermon Madhi do të vijë nesër në orën 19:00 në ekspozitën personale me punë nga fondi i familjes Madhi. Ekspozita do të mbahet në galerinë “Hermon Madhi” në liceun artistik “Jordan Misja” në Tiranë.
3. “PLAÇKA”, SHFAQJA NË TEATRIN “PETRO MARKO” NË VLORË
“Plaçka” është shfaqja që do të vijë në skenën e teatrit “Petro Marko” në Vlorë sot dhe nesër në orën 19.00 nën regjinë e Roland Mingës.
4.KLASA E FIZARMONIKËS, KONCERT NË LICEUN “JORDAN MISJA”
Një koncert nga klasa e fizarmonikës do të mbahet te Liceu “Jordan Misja” në Tiranë sonte në orën 19:00. Në të do të interpretohen vepra të kompozitorëve të njohur, si: Handel, Rossini, Strauss, Piazzolla etj., si dhe do të interpretohen muzikë filmash nga kompozitorë shqiptarë, si : Robert Radoja, Aleksandër Lalo etj. Koncerti është i përbërë me formacione të ndryshme që nga solo, duo, trio, septet dhe orkestra e fizarmonikave.
5. “ISHULLI I PINGUINËVE”, EKSPOZITË E ARBEN GOLEMIT NË SHKODËR
“Ishulli i pinguinëve” është ekspozita nga Arben Golemi, që do të vijë te Galeria e Arteve në Shkodër, sot në orën 19:00.
5. KONCERTI “BEETHOVEN TIRANA 2026” NGA ORKESTRA E RTSH-SË
“Beethoven Tirana 2026” është koncerti nga Orkestra e RTSH-së, që do të mbahet sot në orën 20:00 në hollin “Gjon Simoni” të RTSH-së. Nën drejtimin e dirigjentit Facundo Agudin dhe me solisten Jonela Golemi në flaut, kjo mbrëmje sjell një program të pasur që ndërthur elegancën, modernitetin dhe fuqinë e repertorit klasik.
Komente











